Qeveria Rama bën gati borxhin tjetër prej 400 milionë Euro për 8 vite me interes 7.8%

Ka dhënë shenjën e parë të fundosjes së mëtejshme financiare, tepsia e bakllavasë që Eduard Shalsi u çoi deputetëve të PS në Komisionin Parlamentar të Ekonomi-Financave, më 1 nëntor 2023 kur miratuan buxhetin e vitit 2024.

Në atë buxhet, qeveria planifikoi pagesat 320 milionë Euro për PPP ekzistuese e PPP të reja, 135 milionë Euro për shtimin e punonjësve në administratë, dyfishimin e pagave të ministrave e deputetëve, rritjen 30% të pagave të administratës dhe rritjen 3% të pensioneve.

Mësohet se Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar Ministrin e Financave, Petrit Malaj, të fillojë procedurat urgjente për marrjen e një borxhi tjetër të huaj, me vlerë 400 milionë Euro për detyrimet e vitit 2025.

Ky borxh do merret me kufi interesi deri 7.8% dhe afat likuidimi për 8 vite, por me të drejtë ristrukturimi edhe me 2 vite shtyrje afati plus 1.5% shtesë interesi, nëse qeveria shqiptare do ndeshet me pamundësi shlyerjeje apo me presion të agjencive private që do besojnë të japin borxhin, duke e çuar në 10 vite me 9.3% interes.

Ministri Petrit Malaj, në zbatim të urdhrit, ka ngritur një grup pune me zyrtarë e specialistë të Drejtorisë së Buxhetit e Borxhit Publik dhe me agjentë sekserë të huaj që gjejnë borxhe, të cilët do jenë miqtë e Edi Ramës që kanë siguruar Eurobondet gjatë 11 viteve pushtet të PS.

Zhytja në borxhe diktohet nga nevoja për të përballuar krizën prej evazionit fiskal, vjedhjet me korrupsion e PPP, aventurat klienteliste që kanë përfunduar me 380 milionë Euro gjoba në arbitrazhe, shpenzimet e luksit të zyrtarëve, investimet elektorale të paplanifikuara në buxhetet vjetore dhe trefishimi i numrit të militantëve në administratë gjatë viteve 2014-2023.

Më konkretisht, borxhi i ri 400 milionë Euro me afat bazë 8 vite dhe interes 7.8% dhe afat të mundshëm 10 vite me interes 9.3%, do përdoret për të paguar PPP-të zhvatëse “Check-up”, Laboratorët Mjekësorë, Hemodializën, Sterilizimin e Pajisjeve Kirurgjikale, Landfillet, etj.

Po kështu, me këtë borxh gjatë vitit 2025 do paguhen këstet e borxheve ekzistuese, shtesat në administratat e qeverisjes qendrore dhe vendore, ujësjellësit e falimentuar dhe detyrimet që bashkitë kanë ndaj bankave shqiptare, enteve dhe agjencive të huaja, të marra për gjoja financim projektesh lokale dhe gjobat e arbitrazheve.

Borxhi duhet marrë brenda 31 dhjetorit, sepse duhet të fillojë me 1 janar 2025, kur qeveria fillon detyrimet.

Saktësojmë se borxhi prej 400 milionë Euro është i diktuar të merret nga subjekte të huaja private kudo që të gjendet, sepse Banka Botërore (BB) dhe Banka Qendrore Evropiane (BCE) nuk i japin më borxhe Qeverisë Shqiptare, pasi kanë konstatuar korrupsion në rritje, rënie ekonomike dhe PPP që zhvatin buxhetin, ashtu siç nuk i dhanë 1.1 miliardë EURO-BONDE që qeveria kërkoi gjatë vitit 2024 për të shlyer borxhet dhe PPP-të.

Artikulli paraprakMoti i keq/ Gurët dhe inertet bllokojnë aksin Skuraj-Burrel, banorët ndërhyjnë për lirimin e qarkullimit
Artikulli tjetër“E madhe është gjëma e mëkatit” e Kutelit interpretohet nga aktori Ligoraq Riza në COD