Kontributi më i madh për të mbajtur sistemin korruptiv në këmbë është sulmi i orkestruar nga pushteti kundër SPAK-ut. Pasi nuk kanë arritur ta frikësojnë dhe trysnojnë, tani po përpiqen ta delegjitimojnë.
Sigurisht që janë në lojë karriera politikanësh të lartë, të pushtetit të sotëm dhe atij të djeshëm, dhe njerëz me lekë pas tyre që investojnë në media dhe në opinion publik për të shpikur dallavere dhe për të krijuar “fabula” të paqena, por që ngjisin në opinion, sipas parimit “shpif-shpif se diçka do të ngelë”.
SPAK-u sot mund të ketë shumë probleme, por në pak kohë ai ka arritur të bëjë atë që drejtësia nuk ka pasur guxim ta bëjë në 34 vite.
Sigurisht është një sistem dhe një shoqëri e tërë që punon kundër filozofisë dhe asaj që përpiqet Prokuroria e Posaçme, por kjo është një rrugë që edhe prokurorët e SPAK-ut po të duan, nuk kanë nga ia mbajnë dhe nuk kanë zgjidhje tjetër.
Sistemi korruptiv lufton Prokurorinë nga lekët e vjedhura të korrupsionit, SPAK-u mbush dosje me nga 500 faqe me fakte për këtë korrupsion.
Beteja do vijojë dhe do bëhet edhe më e egër ndaj eksponentëve të pushtetit, por mos i kërkoni llogari SPAK-ut, ndërkohë që mëngjes e mbrëmje e sulmoni atë për punën e tij./Namir Lapardhaja