Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të fotove ku Erion Veliaj është duke pirë kafe me kreun e Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fushaj. Kreu i departamentit të Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj me anë të një deklarate për median denoncoi faktin që prokurori i Tiranës shpall publikisht miqësinë me zyrtarin që duhet të hetojë.
“Erion Veliaj ka të paktën tre kallëzime penale në organin e akuzës, për ndërtim pa leje, shpërdorim detyre që solli si pasojë vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, dhe falsifikim firme, e provuar tashmë dhe e pranuar nga vetë ai, e megjithatë, shqiptarët e shohin kryetarin e Bashkisë së Tiranës, herë si dasmor të prokurorit të Tiranës, herë si mik drekash e darkash në restorante.
Ndërkohë që dosjet presin në prokurori, Erion Veliaj jo vetëm nuk hetohet, por shpallet mik special i kryeprokurorit të Tiranës.
Më 8 dhjetor, u bë një vit që Erion Veliaj falsifikoi firmën e policit bashkiak, për t’i vënë gjobë protestës së PD. Ekspertimi ka treguar se firma e punonjësit të Bashkisë ishte falsifikuar. Veliaj vetë ato ditë sfidoi ligjin, duke thënë se ai mban përgjegjësi, ai e ka vënë gjobën. Por, Prokuroria në vend se ta çojë çështjen përpara, e emëron krushk të pandehurin.
Amjentalistët kanë bërë kallëzim penal për ndërtimin pa leje tek Parku i Liqenit, por Prokuroria e Tiranës i ka zëvendësuar hetimet me qëndrime me orë të gjata në restorante më të pandehurin.
Prej gushtit, Veliaj është përgjegjës për vdekjen e Arditit, dhe mbarë shoqëria kërkon drejtësi. Partia Demokratike ka bërë kallëzim penal në organin e akuzës, por Prokuroria ka prioritet marrëdhëniet e mira me Veliajn, ftesat për dasmë e dreka-darkat, dhe jo hetimin dhe drejtësinë.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të ndërhyjë dhe të mos lejojë mbylljen e dosjeve me qoka e shkëmbime favoresh. Partia Demokratike gjithashtu e kujton Erion Veliajn se në mos sot nesër do të ketë drejtësi për Arditin e shpërdorimet e falsifikimet e tij, krime të rënda që s’do të mund t’i mbyllë nëpër dasma e restorante”, u shpreh Alibeaj në deklaratën e tij.