Të gjithë konsumatorët familjarë që janë debitorë ndaj ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë kanë mundësi të shlyejnë detyrimet e prapambetura duke paguar një tarifë fikse mbi faturën mujore të ujit të pijshëm. Për t’i ardhur në ndihmë familjeve debitore dhe për të lehtësuar barrën e pagesave të pakryera për faturën e ujit të pijshëm, UKT lajmëron se ka hyrë në fuqi akt-marrëveshja e re me konsumatorin.
Në bazë të kësaj akt-marrëveshje tani çdo konsumator familjar, i cili për arsye të ndryshme apo pamundësi financiare ka akumuluar detyrime të pashlyera për periudha kohore të gjata, do të paguaj çdo muaj 2 mijë lekë të reja plus vlerën e faturës së përmuajshme. Nëpërmjet kësaj marrëveshje të re të gjithë konsumatorëve familjarë debitor u ofrohet një skemë e cila synon të jetë e përballueshme për cilindo që ka borxhe të papaguara ndaj UKT-së.
Kjo pasi skema që ishte deri më tani në fuqi dhe që trajtonte debinë e konsumatorëve familjarë, prodhonte një faturë me një vlerë që në raste të veçanta ishte e papërballueshme. Me akt-marrëveshjen e vjetër, konsumatori duhet ta kryente pagesën me këste mujore, ku kësti i parë përbënte 20% të vlerës së detyrimit, plus faturën koherente mujore. Ndërsa këstet e tjera vijonin të përshkallëzuara, me 10% të vlerës së detyrimit të mbetur, duke i shtuar faturën e muajit.