Degradimi i tokës, po rikthehen “kënetat”! Sipërfaqet e kripëzuara në vend rriten në nivele alarmante

Sipërfaqet e kripëzuara të tokës në vend janë rritur në nivele alarmante në raport me disa dekada më parë.

 

Një raport i Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit tregon se nga matjet e bëra në disa rajone si Dërmenas dhe Libofshë në Qarkun e Fierit, niveli i kripësisë është rritur edhe në ato që më herët kanë qenë toka normale dhe pjellore.

Po kështu sipërfaqe të tjera toke janë prekur nga moçalizimi, diçka që i ka bërë ato sërish të degraduara. Kjo e dyta është matur në rajone si Orikum, Vlorë, dhe Sheqeras, Qarku i Korçës.

“Tokat e marra në studim sipas klasifikimit rezultojnë me shkallë të ndryshme kripëzimi, duke filluar nga niveli i tokave dobësisht të kripura në shumë të kripura.

Nga vlerësimi duket se ka një rritje të tokave të kripura dhe shumë të kripura, zona e tokave me probleme kripëzimi shtrihet edhe në thellësi të tokave normale. Përmbajtja e kripërave të përgjithshme shkon nga 0.610% në 8.600%.

Ka një rritje alarmuese të tokave të kripura, shumë të kripura dhe sodike, në rreth 1.5 herë krahasuar me vitin 1984. Sodimi i tokave është një problem alarmues jo vetëm si element toksik, por ndikimi i saj manifestohet në ndryshimin e cilësive të tokës, uljen e shkallës së përdorimit dhe degradimin kimik, fizik dhe biologjik të saj” thuhet në raport.

Raporti vlerëson se ka ndryshime të theksuara në përmbajtjen e kripërave në tokat e studiuara ndërmjet zonave dhe brenda tyre, si rezultat i mos ndërhyrjes me masa parandaluese ose lënia jashtë vëmendjes dhe braktisja e tyre.

“Nga vlerësimi i treguesve të analizuar për natyrën e kripëzimit, ka rezultuar se ai i përket tipit të kripëzimit tërësisht klorur, pasi vlerat e raportit Cl/SO4 janë mbi 2.

Reaksioni i tokës në zonën e studiuar rezulton në vlera shumë të larta që shkon nga 7.9 në 9.8. Sipas klasifikimit karakterizohen shumë alkaline deri në shumë fuqimisht alkaline, duke favorizuar kështu procesin e sodimit” thuhet në raport.

Ky i fundit sjell në vëmendje se në vendin tonë tokat e kripura janë afërsisht 40 000 ha, që shtrihen në të gjithë gjatësinë e tokave bujqësore, përgjatë bregdetit, nga Vrina dhe Xara në Sarandë, vazhdon përgjatë vijës bregdetare, në drejtim të Vlorës, Fierit, Durrësit, Lezhës deri në Velipojë, Shkodër.

Para viteve 1990 si rezultati bonifikimit dhe masave të tjera përmirësuese të marra, shumë toka të përmbytura dhe të kripëzuara u vunë nën kulturë dhe u shfrytëzuan për një kohë relativisht të gjatë.

Por cilat janë rajonet e marra në studim dhe nga ku kanë dalë rezultate jo aq optimiste?

Sa i takon kripëzimit, studimi është realizuar në njësitë administrative: Dërmenas dhe Libofshë, në të gjithë sipërfaqet e tyre, që shtrihen nga bregdeti deri në thellësi të këtyre njësive.

Tokat me të kripura rezultojnë tokat e komunës Dërmenas me 66.6% dhe më pak të kripura ato të Libofshës me 20%. Nisur nga niveli i lartë i kripërave dhe pH shumë i lartë ( mbi 9) mund të themi se tokat e kësaj zone ekologjike kanë probleme kripëzimi dhe sodimi.

Duke ju referuar të dhënave të analizave kimike mund të themi se tokat me probleme kripëzimi kanë tendence që të zgjerohen në thellësi të tokave që më parë ishin me tregues normal të pjellorisë, duke rritur kështu sipërfaqen e tokave me probleme kripëzimi krahasuar me periudhën para viteve 1990./Monitor

Artikulli paraprakKOMBËTARJA/ “Të zhdukur” dhe të harruar, ja cilët Silvinjo i sheh… larg
Artikulli tjetërNjë prej kandidatëve në kërkim/ Tronditet gara për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, pritet arrestimi i tij