Ukraina i bashkohet NATO-s në stërvitje për testimin e sistemeve kundër dronëve

NATO-ja i përfundoi stërvitjet e madhe kundër dronëve këtë javë, në të cilat mori pjesë Ukraina për herë të parë, me qëllim të mësuar urgjentisht nga zhvillimi i hovshëm dhe përdorimi i skajshëm i dronëve – mjeteve pa pilot – në luftën në Ukrainë.

 

Në këto stërvitje, të mbajtura në një bazë ushtarake në Holandë, morën pjesë më shumë se 20 shtete dhe rreth 50 kompani, të cilat testuan sistemet e teknologjisë më të fundit për vërejtjen dhe rrëzimin e dronëve.

Stërvitjet 11-ditore përfunduan me një ushtrim për vërejtjen dhe rrëzimin e dronëve në një javë kur rolin i tyre vendimtar në luftën në Ukrainë u dëshmua përsëri.

Të mërkurën, një sulm i madh ukrainas me dronë e shkaktoi një shpërthim të përmasave të një tërmeti në një depo të madhe të armëve në Rusi. Të nesërmen, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Moska e ka rritur prodhimin e dronëve në gati 1.4 milion këtë vit.

Rritja e përdorimit të dronëve në luftë – për t’i shkatërruar objektivat dhe për ta vëzhguar fushëbetejën – e ka nxitur NATO-n ta kthejë përqendrimin kah kërcënimi që dronët mund ta përbëjnë për aleancën.

“NATO e merr shumë, shumë seriozisht këtë kërcënim”, tha Matt Roper, shef i Qendrës së Përbashkët të Inteligjencës, Vëzhgimit dhe Zbulimit në agjencinë teknologjike të aleancës.

“Kjo nuk është diçka të cilën ne duhet ta shpërfillim”, tha ai në zonën e stërvitjeve në lindje të Holandës.

Ekspertët kanë paralajmëruar NATO-n se ajo duhet të kapë hapin shpejt në kohën me dronët e luftës.

“NATO-ja ka shumë pak dronë për luftë të intensitetit të lartë kundër një armiku”, thuhet në një raport nga Qendra Evropiane për Analiza Politike nga shtatori i kaluar.

“Ajo do të përballej me sfida shumë të mëdha për t’i përdorur dronët që ka në një mjedis të kontestuar”, sipas saj./rel

Artikulli paraprakVIDEO/ Urinoi para derës së Gjykatës së Lartë dhe videon e publikoi në rrjete sociale, kush është ‘tiktok-eri’ që ka kandiduar për t’u bërë drejtues i Policisë së Shtetit
Artikulli tjetërSi po ndikojnë ndryshimet klimatike në përmbytjet globale? A do të përkeqësot situata me rritjen e temperaturave globale