Biznesi i ndërtimit është para një periudhe rritjeje për shkak se numri i lejeve të dhëna në nëntëmujorin e këtij viti është rritur me 146 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT lejet e ndërtimit të dhëna në të gjithë vendin për periudhën janar-shtator 2016 ishin 308 nga vetëm 125 të tilla që ishin dhënë në 9-mujorin e 2015.
Numrin më të madh të lejeve e ka dhënë Tirana. Vetëm gjatë këtij viti në kryeqytet u dhanë 65 leje, të cilat zunë 21 për qind të totalit të lejeve të dhëna këtë vit.
Qyteti i Beratit vjen i dyti në radhë për nga numri i lejeve të reja. Gjatë 9-mujorit u dhanë 45 leje ose 13 për qind të totalit.
Elbasani, Lezha dhe Shkodra gjithashtu dhanë një numër të madh lejesh në krahasim me qytetet e tjera.
Vetëm në tremujorin e tretë 2016 janë miratuar gjithsej 145 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 75.321 metër katrorë.
Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 67,6% të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, zyra, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 32,4%.
Por megjithë këto zhvillime sektori i ndërtimit thelloi më tej tendencën ngadalësuese të rritjes në tremujorin e dytë të vitit. Vlera e shtuar e ndërtimit shënoi një rritje vjetore me 1.8%, pas rritjes me 8.1% në tremujorin e parë të vitit. Ritmet më të zbutura të ecurisë së sektorit u ndikuan nga rënia e kontributit të komponentit publik, si dhe nga efekti statistikor i krahasimit me një bazë të lartë një vit më parë.
Ndërkohë, rritja e fluksit të investimeve të huaja direkte në tremujorin e dytë ndihmoi rritjen e sektorit. Rezultatet e vrojtimeve për tremujorin e tretë – rritja e treguesit të besimit dhe e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve – sugjerojnë për përmirësim të ecurisë së aktivitetit ndërtues.