Pse dashurohen “të verbërit” ?

Nga Ferdinand Dervishi

Asaj gati ju morr fryma e për pak i ra zalia, kur e pa veten në prehrin e vëmendjes së Liderit. Ajo reflektonte një gjuhë trupi si të atij besimtarit të përjetshëm që një ditë e gjen veten në prehrin e vëmendjes së Zotit.

Liderit nuk i shpëtoi detaji. Pak kohë më pas shqiptarët e panë të njëjtën femër në postin e Ministres së Shëndetësisë. Dhe kur këtu plasi qelbi, e panë në një tjetër post të rëndësishëm ministror.

Tjetra e krahasoi publikisht Liderin me heroin tonë kombëtar – Skënderbeun. Pa ja bërë syri tërr për përtalljet e shqiptarëve, ajo bëri përpara me ballin lart. Lideri e kapi. Fillimisht e bëri ministreshë, tashmë edhe Kryetare Kuvendi.

Pas disa gafave të njëpasnjëshme, Lideri ju hakërrua njërit prej të vetëve, një burri që tashmë ka lënë mjekër si Rilindas: të mbyllesh brenda në shtëpi dhe të mos shoh më të dalësh!

Pas tre muajsh, Lideri konstatoi, zëmërmbushur, “burgimin” shembullor, urdhëroi “lirimin” nga arresti shtëpiak dhe njëkohësisht emërimin e burrit me mjekër rilindase në një post të rëndësishëm ministror.

Shqiptarët e kanë vënë re. Prej kohësh Lideri ka nisur të përzgjedhë e afrojë pranë vetës njerëz pa asnjë ngjyrë dhe pa asnjë shije. Njerëz bosh.

E nisi me ca shërbëtorë meshkuj me pamje sikur gjithë jetën ishin qethur me gërshërë bagëtish, duke rikthyer dhe hedhur vetes atë thënien e vjetër përcëlluese: “Shefa komisariati që vijnë era përç”.

Po e vijon me ca femra që sa duket ua kupton mendjen-bizele me një të kthyer të syve, si ajo që sapo emëroi Zëvëndës ministre të Turizmit.

I djegur nga qulli, ai sa duket ja ka mohuar vetes të qasë ndonjë personalitet njerëzor, politik apo teknik. Dikur u dogj nga një Ben Blush i vetëm që harroi brenda vathës, më tej edhe nga një Ditmir Bushat, i cili, pa leje, tentoi të bënte shërbëtorin e kombit të vet.

Sot askush nuk e ka më shansin.

I lodhur edhe nga shqiptarët zevzekë që i zukatin në vesh dhe tentojnë ta thumbojnë në trup me qëllim që ta devijojnë në zhytjen, tashmë të pa kontroll, në pusin e pafund të korrupsionit, Lideri po afron rreth vetes përherë e më shumë njerëz të verbër.

Duket gjithçka ka lidhje me jetëgjatësinë e pushtetit dhe rehatinë në majë të tij. Sa më injorantë bashkëpunëtorët, aq më të përpunueshëm dhe më të përdorshëm.

Këtë bëri edhe Enver Hoxha në fund të jetës politike e biologjike. Afroi rreth vetës një grusht askushësh të llojit Pali Miska apo Lenka Çuko.

Por, nëse në këtë periudhë Enveri donte të siguronte pushtetin personal përmes përdorimit të injorantëve, qasja e Liderit ka lidhje me sigurimin e pushtetit përmes injorantëve të përdorur.

Vetëm kjo lloj kategorie jep garanci se shërben e bindur dhe për një kohë të gjatë. Shërben duke sakrifikuar edhe veten, duke provuar edhe burgun dhe shkatërruar të ardhmen.

Kjo është edhe arsyeja përse diktatorët zgjedhin pranë vetes të verbërit. I zgjedhin, sepse të verbërit janë të përjetshëm. Atyre nuk u kthehet kurrë shikimi.

Artikulli paraprak“Përgjegjëse që qeveria e saj ka lënë banorët e ‘Astirit’ pa shkollë dhe çerdhe”/ Zëdhënësja e PD- Euroatlantike, Mirela Karabina: Ja si gënjeu ministrja Manastirliu për Kolegjin Universitar Wisdom
Artikulli tjetër“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, Preç Zogaj përmbledh në një vëllim krijimtarinë poetike të 40 viteve