Nga dr. Hasan Bello
Ali Emiri lindi në qytetin Dijarbakër të Turqisë në vitin 1857. Ai ishte djali i Mehmed Sherif Efendiut. Arsimin bazë ai e mori në medresenë Sülûkiye në Dijarbakër, dhe më pas vazhdoi mësimet me xhaxhain e tij Fet`hullah Fejzi Efendiun me të cilin mësoi persishten dhe me dijetarë të tjerë ku mësoi arabishten dhe thelloi njohuritë mbi shkenca të ndryshme islame dhe shoqërore. Që në moshë të re, ai shquhej si një student kureshtar dhe me kujtesë të fortë, i cili interesohej për historinë dhe veçanërisht letërsinë, duke shkruar e mësuar përmendësh shumë poezi.
Në moshën 21 vjeçare, Ali Emiri Efendi filloi punë në shërbimin civil. Gjatë karrierës së tij ai punoi si kontabilist dhe inspektor financiar në krahina e qytete të ndryshme të perandorisë, si në Harput, Sivas, Selanik, Erzurum, Leskovik, Tripoli, Alepo etj. Kjo i dha atij mundësinë për t`u njohur me kulturat dhe letërsinë e këtyre vendeve. Pas daljes në pension ai shërbeu në krye të disa komisioneve dhe komiteteve për shkrimin e historisë dhe letërsisë; për klasifikimin e dokumentacionit osman etj. Ai mblodhi privatisht me qindra dhe mijëra dorëshkrime, vepra dhe libra të pabotuar anë e mbanë perandorisë.
Ali Emiri dha një kontribut të çmuar për themelimin e Bibliotekës Kombëtare të Turqisë, të cilës ai i dhuroi 16000 dorëshkrime që kishte mbledhur me shpenzimet personale, të cilat sot përbëjnë një burim të vyer për historianët dhe studiuesit e letërsisë.
Ai njihet si autorë i një sërë studimesh mbi poetë dhe shkrimtarë të njohur dhe të panjohur të hapësirës osmane. Këtu bëjnë pjesë edhe dy libra “Poetët e Shkodrës” dhe “Poetët e Janinës”.
Në fund të shek.XIX ai shërbeu për pak muaj si inspektor financiar në vilajetin e Janinës dhe të Shkodrës, ku pati rastin të njihej me disa prej tyre. Në parathënien librit të tij mbi poetët shkodranë, Ali Emiri shkruan se, kur u emërua inspektor financiar, mori vesh rastësisht se atje ekzistonte një traditë e këndimit të poezisë. Në krahinën e Shkodrës ai qëndroi vetëm tre muaj. Gjatë vlerësimit të poetëve, Ali Emiri shkruan për traditat e rajonit, vendet e vizituara, ndërtesat dhe mbishkrimet e tyre, varrezave, si dhe për situatën gjeografike. Ai jep informacion mbi pemët gjenealogjike të disa poetëve.
Libri mbi poetët osmanë të krahinës së Shkodrës është kthyer në një vepër referenciale përsa i përket historisë letrare e shoqërore të kësaj treve.
Një vlerësim të ngjashëm për Elbasanin jep udhëtari i njohur osman i shek. XVII Evlia Çelebi,i cili e quan atë qyteti i poetëve.