Besnik Hasi vazhdon të kalojë pushimet në Kosovë, në pritje të një sistemimi të ri. Gjakovari është pushim prej disa muajsh, pas shkarkimit nga Legia e Varshavës dhe për momentin, kontaktet e tij me klubet nuk kanë përfunduar pozitivisht.
I fundit ishte ai me Genk, që po kërkonte një trajner të ri pasi largoi nga drejtimi Peter Maes. Klubi filloi negociatat me Hasin dhe ai ishte mes kandidatëve kryesorë për të marrë drejtimin e kësaj skuadre në të cilën ka luajtur disa vite gjatë karrierës si futbollist. Presidenti Herbert Huben pranoi për mediat belge se Hasi ishte një alternativë e mirë, pasi “njeh ambientin dhe ka cilësitë e duhura për të drejtuar klubin”.
Por në fund, zgjedhja e Genk ra mbi Albert Stuivenberg, holandezin 46-vjeçar që ka më pak famë, por që njeh mirë nivelet e larta të futbollit botëror, pasi që nga viti 2014 ka qenë krahu i djathtë i Luis van Gal.
Kësisoj, Hasi vazhdon të mbetet në pritje të një kontrate të re, në drejtimin e një klubi apo kombëtareje. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, duken të hapura për një bashkëpunim me trajnerin gjakovar nëse do të krijohet mundësia në të ardhmen. Mbetet të shihet nëse Hasi do të ketë gjetur apo jo një sistemim derisa nga drejtimi i përfaqësueseve do të jenë larguar De Biazi dhe Bunjaki.
Ndërkohë, Granit Xhaka ka bërë paraqitje mbresëlënëse ndaj West Bromwich Albion, ku Arsenali fitoi 1:0. Sipas “OptaJean”, mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, ka kompletuar 134 pasime në sfidën kundër WBA-së, gati sa kompletuan gjithë së bashku skuadra mysafire (166). Këto statistika tregojnë se Xhaka po adaptohet në Premierligë dhe se mund të japë edhe më shumë për “Topçinjtë”.