EMISIONI VETTING
Kompanitë e dyshuara për mbetje të rrezikshme
Mbas publikimit të lajmit në media, Prokuroria e Durrësit filloi hetimin për çështjen e trafikut të paligjshëm të mbetjeve toksike, ku dyshohet se kompania “SOKOLAJ” në pronësi të Gjovana Sokolaj ka eksportuar mbetje të rrezikshme me destinacion Tajlandën.
Sipas “BIRN”, e cila i referohej dosjes së prokurorisë Durrës, kompania “Sokolaj” është eksportuese e kontejnerëve dhe kompania turke “Kurum International” rezulton burimi i produkteve që dyshohen si të rrezikshme.
Më 21 gusht 2024, KURUM bëri një deklaratë publike për mediat, duke mohuar lidhjet me eksportin e mbetjeve të rrezikshme.
“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme ndaj edhe në këtë rast, kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International,” deklaroi kompania turke.
Reagimi i KURUM-it erdhi pas lajmit se e vetmja kompani që mund të prodhonte këtë kategori mbetjesh në sasi të mëdha ishte firma turke.
Dyshimet për përfshirjen e kësaj të fundit u përforcuan me deklaratën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, e cila në mënyrë indirekte implikoi kompaninë me qendër në Elbasan.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, “vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS”.
“SOKOLAJ” shpk është themeluar në vitin 2006 nga Gjovana Sokolaj së bashku me bashkëshortin e saj, Doni Sokolaj dhe ka si objekt veprimtarie import/eksportin e mineraleve, si dhe transportin e mbetjeve të rrezikshme.
Gjatë këtyre viteve kompania ka patur si aksioner edhe turkun Serdar Can Hakliol, i cili rezulton njëkohësisht ortak me Gjovana Sokolaj te kompania “Florester Metalik”.
Nga të dhënat e siguruara nga “VETTING” rezulton se kompania “SOKOLAJ” shpk ka interesa financiare në Turqi, ku ka lidhur një kontratë me kompaninë turke “Hakliol Madencilik”. Nga viti 2014 deri në vitin 2023, SOKOLAJ ka transferuar drejt kompanisë turke shuma me vlerë totale 319 milionë lekë ose 3.2 milionë euro.
Në vitin 2022, “SOKOLAJ” shpk është pajisur me licencë për transportin dhe grumbullimin e mbetjeve të rrezikshme nga Ministrja Mirela Kumbaro. Megjithatë një detaj i rëndësishëm ka kaluar pa rënë në sy. Nga dokumentet e siguruara nga “Vetting”, një vit më pas leja e kompanisë do të pësonte ndryshime, të cilat do të rrisnin kapacitetet për përpunimin e mbetjeve toksike.
Konkretisht është shtuar kodi 12 01 17 për mbetjet e materialeve shpërthyese, të tjera nga ato që përmenden te kodi 12 06 01. Pyetja që ngrihet është:
Për çfarë mbetjesh materialesh shpërthyese po flasim, që përdoren nga kompanitë private apo ushtria, të cilat i përpunon kompania “SOKOLAJ” shpk?
Hetimet e prokurorisë kanë vendosur në lëvizje administratorët e kompanisë, ku e afërmja e Gjovana Sokolaj, Olizana Pemati, ka kryer veprime të tjera me kompanitë.
Menjëherë pas publikimit të lajmit në media për eksportin e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme, në 13 gusht në Qendrën Kombëtare të Biznesit është ngarkuar vendimi, ku Olizana Pemati është shkarkuar nga aksionerët e kompanisë më herët në 27 qershor.
Teksa hulumtojmë se çfarë eksporton kjo kompani, në skenë dalin kompani të huaja, të cilat janë lidhura me SOKOLAJ shpk.
Gjovana dhe Doni Sokolaj janë bashkëpronarë të kompanisë “Scholz” shpk së bashku me kompaninë gjermane “Scholz Internationale Handelsgesellschaft”, e cila rezulton në pronësi të kompanisë “Scholz Holding GmbH”. Të dhënat nga Qendra Kombëtare e Biznesit nuk zbulojnë pronarët realë të kësaj kompanie.
Sipas informacioneve nga Open Data Albania, në 2016 “Scholz Holding GmbH” kaloi në pronësi të kompanisë më të madhe në Kinë në fushën e riciklimit të skrapit “Chiho Environmental Group Limited”.
Lidhjet kineze me Shqipërinë nuk janë rastësi sepse përpara dërgesës në Tajlandë, ka patur dërgesa të tjera tranzit që nuk lidhen vetëm me “SOKOLAJ” shpk, por me kompani nga Kosova.
Sipas drejtorit ekzekutiv të BAN, Jim Puckett: “Më herët ishin 115 kontenierë, për të cilët mësuam se do të shkonin në Kinë dhe autoritetet kineze i kanë bllokuar atë, akoma duke pritur aty, ndaj ne po përpiqemi të punojmë me kompaninë MAERSK për t’i rikthyer ato. Deri tani kemi informacion vetëm për dy ngarkesa eksporti, e para e cila do të shkonte në Kinë në prill të këtij viti dhe u bllokua në Fengchengs, në portin Nansha të Kinës.”
Menjëherë pas denoncimit nga organizatat ndërkombëtare, në 21 gusht 2024 erdhi reagimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila padashje zbuloi se ka patur ngarkesa të tjera me mbetje që janë transportuar edhe më parë.
Eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka u shpreh per Vetting se:“I vetmi në këtë mes që po themi ka realizuar një inspektim të denjë përsa i takon incentivave që kanë marrë sepse kjo incentiva e marrë nga konventa e Baselit, por edhe nga organizata me qendër në Bruksel përsa i takon këtij transporti apo kësaj sasie me mbetje toksike që po shkon në rrugë të jashtëligjshme, pra duke u konsideruar si koncentrat zinku, por nga krahu tjetër rezulton që nuk është thjesht koncentrat zinku, i vetmi institucion në këtë mes është autoriteti portual në Kinë, në Guangxi të Kinës”.
Në ndryshim nga homologët kinezë, doganat shqiptare deklaruan se për rastin në fjalë po bashkëpunojnë me OLAF, Zyrën e luftës kundra mashtrimeve në Bashkimin Europian.
Sipas doganave, rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria, por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apfelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Switzerland.
Doganat shtojnë se firma zvicerane ACHRO AG është urdhëruese sipas BILL OF LOADING (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti (LOË GRADE ZINC CONCENTRATE) me destinacion firmën pritëse GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, China.
Drejtori i “Apelbaum sh.p.k”, Arten Bajrushi, kompanisë së cilës Doganat iu referuan gabimisht si “Apfelbaum”, për “Vetting” u shpreh i habitur që doganat e kanë përmendur kompaninë e tij pasi nuk ka lidhje me rastin.
“Për çdo gjë lajmëroni kompaninë Achro zviceriane, e cila e ka blerë mallin në Kosovë. Ajo është blerësja e mallit, përndryshe sipas saj sepse i kam pyetur, nuk kanë lidhje me ata kontejnerët që po kthehen.”- tha pë vetting Arten Bajrushi.
Drejtori Barjushi deklaroi se për më shumë informacione duhet të kontaktonim kompaninë zviceriane “Achro Ag”. “Vetting” arriti të kontaktonte Mostafa Azizin, i cili deri në mars 2024 ka qenë i punësuar te kompania zviceriane.
Sipas ish-punonjësit të “Achro Ag”, nga Trepça nuk mund të vinë mbetje të rrezikshme. I pyetur për testet nga dogana kineze Fengcheng në Portin e Nansha-s, Azisi refuzoi të komentonte rezultatet.
“Vetting” u përpoq të kontaktonte administratorin e “Achro Ag”, Arjan Dzemaili për të marrë një koment, por deri në publikimin e këtij materiali Zoti Djemaili dhe përfaqësues të tjerë të kompanisë ishin të paarritshëm.