Shembujt janë dështimet më të mëdha të popujve!

Nga Ersid Karaj

Në botën tonë shqiptare, komunikohet gjithkund për shembuj. Në fakt, këto perceptime dëgjohen shumë nëpër fusha të ndryshme, si: politikë, ekonomiko-sociale, kulturore, etj.

Shpesh nga këto hapësira të ndryshme, lindin shembujt. Ç’është e vërteta, nga këto qëndrime, paradoksalisht, lindin edhe liderët. Lindin krerët e partive, krerët e mbretërive, të bizneseve, etj. Nga ky kënd, lindin edhe dështimet më të mëdha të popujve.

Më kujtohet një roman i Fjodor Dostojevskit me titull, “I panjohuri”, ku zonja e një çifligu, e cila nuk ia besoi menaxhimin dhe drejtimin e asaj prone fëmijëve të saj, por ia besoi një njeriu të cilin ajo e kishte shumë përzemërt dhe e ekspozonte si shembullin më të mirë të asaj “mbretërie”, dhe respektonte çdo vendimarrje të atij njeriu. Ky njeri krejt “i panjohur” për çdokënd që bënte pjesë aty, mori masa të menjëhershme për ta drejtuar. I vuri kushte nga më ekstreme punonjësve, i keqtrajtonte në mënyrën më banale të mundshme. Një ndër këto kushte ishte që të gjithë punonjësit, nga roja i portës dhe kuzhinierët duhet të mësonin gjuhën frënge.

Zonjës së shtëpisë i dukej normale ky angazhim i menjëhershëm që ky person po ndërmerrte në atë çiflig. Madje, atë njeri zonja filloi ta donte aq shumë saqë mendonte t’ia trashëgonte atij edhe ndarjen e pasurive që fëmijët ta kishin si “lider” sepse e mendonte një njeri të zotë për atë pronë. Edhe ata të cilët nuk e donin, duhet t’i përgjigjeshin çdo urdhëri të tij të brendshëm.

Me pak fjalë, vetëm një mjeshtër si Dostojevski mund të lidhte një rrymë balancuese të prishur brenda shoqërisë, me një lloj dialogu me sarkazëm dhe dinjitet, e cila ngre çështje vërtet të rëndësishme të kësaj shoqërie.

Kjo temë kaq ngacmuese, lidhet ngushtë me modelet që trajtojmë edhe ne si “shoqatë shtetare”; ngulitjes së ideve të cilat pretendojmë të jenë të duhura për një shoqëri me pretendime evoluimi dhe të drejtuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ku në fakt tregon sa vite të humbura kemi ndjekur të gjithë. Deri kur pas aq vitesh rikthehemi tek “Revolucioni”, për ta përmbysur këtë monarki që bëri dikur Franca.

Këtë monarki të cilën ndërtojmë, lidhemi fortë pas saj dhe mësohemi deri në momentin kur kuptojmë që koha e cila është ekstremi më i duhuri i së vërtetës, kërkon modele të tjera drejtimi dhe perceptimi.

Kur mbërrijmë në këtë pikë mbete veç një pyetje: A ka mundësi që këtij lideri apo udhëheqësi t’i ndryshojmë veshjen e kohës, apo kohës ti ndryshojmë veshjen për shkak të liderit?!

Artikulli paraprak“Vatikani” brenda Tiranës, juristi i njohur: S’e lejon kushtetuta, nuk mund të hidhet as në referendum!
Artikulli tjetërLSI kërkoi 10 deputetë në vende të sigurta, 10 ambiciozë poshtëballkonistë do mërziten dhe do largohen