Rama, komardarja e shpëtimit të Berishës!

NGA BATO KOSOVA

Përveçse oligarkisë, Berisha gjatë kësaj periudhe ka pasur dy aleat të mëdhenj. I pari është Meta, i cili i shërbeu si komerdare shpëtimi duke dekretuar zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit dhe duke krijuar idenë se Berisha kishte shumicën e PD-së, në një kohë që nuk e kishte, dhe i dyti është Edi Rama që në gjithë këto kohë, ndonëse me gojë kishte deklaruar që nuk do të kishte asnjë bashkëpunim me “non gratën”, me vepra ka bërë gjithçka për të vërtetuar të kundërtën.

Sigurisht, është në të drejtën e tij. Kush nuk do ta përzgjidhte një kundërshtar në kushtet e Sali Berishës, i cili të vetmen gjë që kërkon është të njihet si lider i opozitës, pavarësisht të tjerave. Një drejtues opozite që nuk ka ambicie pushtetin, por logon dhe vulën për t’u përballur me drejtësinë si i tillë, çdo lider mazhorance do kishte zemërgjerësinë e duhur për t’i ofruar gjithçka, që nuk i cenonte pushtetin.

Në morinë e ngjarjeve të lidhura me njëra-tjetrën, në ditët që Berisha po përballej në opinionin publik me vërtetësinë e fakteve në dosjen e tij, në kushtet kur ai po kërcënonte mediat dhe gazetarët që do të trajtoheshin si organizatë kriminale nëse do të vijonin t’i publikonin në media pjesë nga dosja, Rama sërish shërben si komerdare shpëtimi, duke e zhvendosur të gjithë opinionin dhe ligjërimin publik nga dosja dhe korrupsioni i familjes Berisha te shteti Bektashi i Baba Mondit.

Mjafton të shihni median prej ditës së djeshme. Askush nuk flet për korrupsionin e familjes Berisha, kërcënimin e tij ndaj gazetarëve apo po deshët edhe aferat e mëdha korruptive të kësaj qeverie, por të gjithë flasin për gurin që Rama hodhi në ujë, duke shpëtuar Berishën. Rrjedhimisht edhe veten, sepse të dy janë ngushtësisht të lidhur pas njëri-tjetrit. Sepse është e qartë që metoda që SPAK ka operuar dhe vepruar mbi familjen Berisha, është një precedent që do të shërbejë në të ardhmen edhe për vetë Edi Ramën dhe familjarët e tij.

Ndaj çdo ditë që ai e shmang debatin publik nga Berisha dhe familja e tij, praktikisht është një ditë më shumë për të në pushtet dhe larg nga drejtësia për familjarët e vet./alfapress

Artikulli paraprakPublikohen pamjet satelitore/ Rusisë mund t’i ketë dështuar testimi i ri i raketës balistike interkontinentale
Artikulli tjetër“Shteti i Bektashinjve” si guri i budallait në pusin e “Botës të çudirave” të radhës!