Nga Namir Lapardhaja
Përveçse antikombëtar, antikushtetues, i pa konsultuar me askënd, ideja e hedhur nga Edi Rama për krijimin e një shteti “Bektashi” për të dhënë një model tjetër të islamit, tolerant, që pi raki dhe që lufton ekstremizmin, është një ide poshtëruese, linçuese, ofenduese, ndaj shqiptarëve të besimit islam, të cilët për vite me radhë kanë qenë pjesë e identitetit kombëtar shqiptar, si faktor të rëndësishëm shtetformues, të tolerancës dhe harmonisë fetare dhe të mbarëvajtjes së jetës normale në këtë vend.
Sigurisht nuk kanë qenë të vetmit, por së bashku me pjesëtarët e besimeve të tjera kanë jetuar me njëri-tjetrin në harmoni dhe në paqe, sipas versetit kuranor: “Ju keni fenë tuaj (që i besoni) dhe ne kemi fenë tonë (që i besojmë).”
Premisa për një shtet që promovon një model të caktuar fetar, nuk është vetëm fondamentalizëm politik me baza të caktuara fetare, por është një dështim zanafillor, duke presupozuar se pjesëtarët e besimit islam të vendit tonë deri më sot kanë qenë intolerant, radikal ekstremist dhe pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Sa herë që politika dëshiron të mbulojë dështimet e saj, si korrupsioni dhe krimi i organizuar i lidhur me pushtetin, nxiton të fshihet pas paragjykimeve fetare, sikur bota apo Evropa nuk na do se jemi myslimanë.
Ne jemi myslimanë, të krishterë katolikë dhe ortodoksë aq sa jemi dhe aq sa censuset e vazhdueshme tregojnë se jemi, ndërsa pengesat e integrimit nuk vijnë nga fetë që u përkasim, por nga pushtetarët tanë të korruptuar, të cilët, edhe pse e ndryshojnë fenë sipas interesave dhe vakteve të ditës, sërish të korruptuar ngelen në sytë e botës.
Së fundmi, po sjell një fragment nga fjala e të ndjerit Baba Reshat Bardhi, Zoti e pastë mëshiruar për besimin, qëndresën dhe vuajtjen e tij, i cili, vite më parë, kur është hedhur kjo tezë, paska thënë: “Unë kurrë nuk pranoj të bëhem pjesë e një veprmi, që e dëmton sadopak vendin tim. Unë jam bektashi, jam besimtar i fesë islame, por, para së gjithash, jam shqiptar.”