Nga Mirela Karabina
Prej 12 vitesh në pushtet Edi Rama ka dëshmuar se prioritet i qeverisjes së tij ka qenë propaganda. Edhe pse e ka ditur që degët e mësuesisë prej vitesh po braktisen nga studentët dhe në universitete degët e mësuesisë po mbyllen nga viti në vit, Rama dhe qeveria e tij jo vetëm nuk kanë pasur dëshirën dhe vullnetin politik për ta zgjidhur problemin, por vazhdojnë ta mbulojë atë përmes propagandës.
Edhe ky vit akademik po fillon me braktisje të degëve të mësuesisë: në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në UT janë vetëm 5 të rinj të regjistruar për degën e Fizikës, 9 për Kimi, 23 në degën e Matematikës dhe disa në Biologji, ndësra në rrethe janë drejt mbylles. Pra, Fakultetet e mësuesisë jo vetëm nuk po plotësojnë dot nevojat e shkollave për mësues, por po rrezikojnë ekzistencën e tyre.
Por Rama vazhdon veç me propagandë, dhe këtë herë ka gjetur rritjen e pagave të mësuesve për të larguar vëmendjen nga problemi madhor i krizës për mësues që do përballemi në një të ardhme të afërt.
Shumë mirë që po e rrit pagën e mësuesve, duhej ta kishte rritur në 11 vjet qeverisje, por i gënjeu dhe i mashtroi me rritje page minimale ndër vite, duke i lënë mësuesit në vështirësi jetese, pasi falë keqqeverisjes dhe korrupsionit galopant të qeverisë Rama, çmimet e ushqimeve dhe jetesa në Shqipëri është më e shtrentë se në vendet europiane.
Por, edhe rritjen e pagës së mësuesve Edi Rama e bën për përfitim personal në një vit elektoral, pasi gjendet në një situatë të padëgjuar më pare nga një kryeministër: ministra e drejtorë të lartë të tij çdo ditë shkojnë para drejtësisë SPAK për vjedhje e korrupsion.
Shpallja prioritare e degëve të mësuesisë rezulton një zero me xhufkë, sepse ajo nuk u bë me qëllimin e tërheqjes reale të studenëtve drejt këtyre degëve, por veç për propagandë.
Ulja e tarifës së studimit universitar në mësuesi që u trumbetua me të madhe, herë-herë e paqartë dhe që ka rezultuar dhe gënjeshtër, dhe së fundmi rritja e pagës nuk i gënjeu dot studentët.
Injorimi dhe braktisja nga të rinjtë e degëve të mësuesisë vjen pasi ata duan siguri në arsimim cilësor, në punësim prioritar, në vlerësim e motivim financiar me qëllim të ndërtimit të një jete me dinjitet.
Këtë duan të rinjtë dhe jo gënjeshtra e mashtrime që nuk pinë më ujë. Vendi ka nevojë urgjente për mësues matamatike, fizike, kimie, gjuhë e letërsie dhe në parashkollor.
Por Edi Rama dhe qeveria e korruptuar e tij nuk kanë as moralin dhe as besueshmërinë për ta ndryshuar këtë gjendje të rëndë pasi: ata janë shkaktarët e largimit masiv të nxënësve dhe të rinjve jashtë vendit për shkollim dhe jetë më të mire; të mbylljes së 295 shkollave, të listimit të Shqipërisë të fundit në botë për mendimin krijues të nxënësve 15 vjecarë (PISA 2022); të rrënimit të figurës së mësuesit, rënies së nivelit të tij dhe mbylljes së degëve të mësuesisë.
Proganda e Edi Ramës për arsimin ka pjellë veç iluzione, gënjeshtra dhe dëm shumë të madh shoqëror.
Por zgjidhja do të jetë nga Demokratët Euroatlantikë, të cilët kanë një vizion të qartë për arsimin dhe mësuesinë në veçanti duke i shpallur degët e mësuesisë “Prioritet kombëtar” dhe duke i nxitur të rinjtë të studiojnë në këto degë përmes politikave mbështetëse të arsimimit cilësor, punësimit të orientuar nga tregu, motivimit e financimit.