Nga Natasha Lako *
Po vij me vrap nga Pogradeci për të arritur promovimin dhe u çudita që gjeta këtë trafik. Harrova që Tirana ka trafik. Kështu lexohet edhe poezia, ajo kap trafikun e vet. Të hysh në poezinë e sotme moderne është një nga gjërat më të bukura, më të befasishme. Poezia e Preçit me këtë modernitet ka ardhur që dje, ka vijueshmëri. Ky libër këtë tregon. Poeti gjithnjë është poet dhe vijueshmëria është ndër gjërat më të bukura.
Shumë flitet për poezinë, sidomos ne që po mësohemi me Facebook. Ku derdhet poezi e pafundme dhe gjëja e parë që bëjmë është lavdërimi i njëri-tjetrit. Jemi të tërë të mrekullueshëm në ato që shkruajmë! Kjo vjen nga instikti i një sfide. Poezia është sfidë. Është sfidë karshi realitetit dhe gjërave të zakonshme, gjërave të përditshme, gjërave rutinë, ngadonjëherë e të mërzitshme. Pikërisht këtu lind poezia si sfidë. Kur themi sfidë, për Preçin si poet kjo ka filluar që në atë periudhë të rutinës më të tmerrshme, të mërzitjes më të tmerrshme. Prej aty ka nisur te gjeje fijet e lirisë.
Preçi-krijues hap shtigje të pafundme. Nuk është thjesht kronikan se ashtu ishte Herodoti, por hap ato shtigje të lirisë dhe ne zbulojmë gjëra që nuk i shikon e përditshmja, qoftë edhe sikur të jetë ajo heroike.
Poezia është kjo sfidë e madhe që ndonjëherë i tremb njerëzit, ashtu siç i tremb edhe liria. Prandaj kjo kriza që thuhet se poezia nuk lexohet nuk ka lidhje me poezinë. Ka lidhje me marrëdhënien e njeriut me lirinë, sepse nuk është e kollajtë të fitosh lirinë e vetes, brenda vetes.
Një vëllim e botim i tillë nga UET Press është në radhë të parë një vizion për të mbrojtur në këtë jetë kulturore shqiptare të shumanshme, këtë rrugë të lirisë së brendshme. Për mua poezia është e shprehja e të vërtetave të padukshme dhe të thella. Nuk ka gjë më të madhe se poezia në të vërtetat e thella. Qoftë në konfliktet e sotme ekziston një realitet, një e vërtetë tjetër, shumë më e thellë, të cilën, më bukur nga të tërë, e shfaq poezia.
Nuk dua të them këtu që sfida e poezisë është që të luftojë pragmatizmin, nuk është këtu sfida. Edhe pragmatizmi ka të vërtetat e veta. Por kur na mbyt pragmatizmi dhe kalojmë në komercialitet, atëherë sfida e poezisë është shumë e rëndësishme. Duke folur për thellësinë e Preçit, në këtë thellësi të të vërtetave të mëdha, mbaj mend vargje nga një poezi e tij kushtuar Teodor Kekos:
Atje, matanë në fronin e luleve
Ti ishe mërzitur shumë për mua,
Të gjithë të vdekurit po ta qanin hallin.
Sa bukur e ka thënë me këtë shprehje të gjuhës shqipe. Ky është një realitet, sikur je në ëndërr, sikur bën poezi. Ata njerëz kanë vdekur por për të gjallët jetojnë. Është një e vërtetë poetike. Unë dua ta falenderoj botuesin, universitetin, ata që kanë punuar me botimin. Dua të ndalem pak për gjuhën. Kur kemi një poet si Preç Zogaj, mendoj këtë gjë të parën, biles me zili ndonjëherë dhe them: Si ka mundësi ta zotërosh gjer në këtë thellësi, në thellësinë e të vërtetës e cila bashkohet me thellësinë e gjuhës?
Zotërimi gjuhësor është eksplorues dhe të çon në infrastrukturën e re mendore të sotme. Ky zotërim gjuhësor nuk vjen brenda një dite. Nuk mund të ishte Preçi para 50 vjetëve ky që është sot. Për vëllimin e tij “Një e treta dashuri”, kur e kam lexuar, kam thënë: Këto poezi janë si ato trëndafilat që çelin vetvetiu. Kur çel trëndafili vetvetiu, çel edhe gjuha vetvetiu.
Është aq zotërues i brendshëm i ndjenjës dhe gjuhës, në një unitet, saqë është një poezi spontane që çel vetvetiu, sikur nuk është Preçi që e shkruan por është gjuha që e shkruan. Unë mendoj se poezia e madhe është ajo ku shkruan gjuha. Ti je vetëm një mekanizëm, nuk je zotërues, as dirigjent nuk je. Ajo vjen vetvetiu.
Poezia e Preçit e shfaq jetën si një bekim. Ti e bekon jetën, gjen gjërat e bukura të saj. Mallkime ne poezi që e bëjnë jetën skëterrë kemi shumë sot. Poezia jote është aq e bukur, me të gjitha dhimbjet, problemet, me të gjitha plagët. Poezia jote është një bekim dhe kjo e bën të veçantë dhe një nga poezitë më humane. Unë shoh humanizëm të thellë. Atje ku jeta është një bekim është edhe humanizmi shumë i madh.
(* Nga fjala në promovimin e vëllimit me poezi të zgjedhura “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”)