Pas Biden, shqetësimet dhe për shëndetin mendor të Trump! Ekspertët për “Independent”: Ish-presidenti po humbet kontaktin me realitetin

Ekspertë të shëndetit mendor, përfshirë një ish-mjek të Shtëpisë së Bardhë, kanë shprehur alarmin për aftësitë mendore të Donald Trump, duke sugjeruar se ai po tregon shenja të “rënies konjitive”.

 

Duke folur për gazetën Independent, ekspertët shprehën shqetësimet e tyre për kandidatin republikan nëse ai është në gjendje të marrë presidencën e Shteteve të Bashkuara në rast se zgjidhet, siç kishte ndodhur në rastin e Joe Biden, pas debatit të qershorit.

Sipas ekspertëve, Trump së fundmi në fjalimet e tij publike ka dhënë disa “refleksione të çuditshme”, ku shembull tipik ishte fjalimi i tij në Pensilvani, ku shumë e tallnin për shprehjet që përdorte.

Në fillim të këtij muaji, një profesor i psikiatrisë në Kolegjin Mjekësor Weill Cornell, Richard A. Friedman, tha se ishte i shqetësuar nga ajo që pa gjatë paraqitjes së Trump në debat më 10 shtator. Në një shkrim në The Atlantic, ai tha se Trump shfaqi disa modele që shihen zakonisht midis njerëzve me rënie të aftësive njohëse.

Dr. Ben Michaelis, një psikolog klinik që ka kryer më parë vlerësime njohëse për Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut, u pajtua me deklaratën e mësipërme, duke i thënë gazetës se Trump “me të vërtetë nuk ka mprehtësi të plotë”.

“Ekziston një term për njerëzit me demencë që quhet perëndim i diellit, është shumë më e vështirë për ta me kalimin e ditës,” tha Michaelis.  “Është shumë e vështirë për ta (njerëzit me dëmtim kognitiv) të mbajnë fokusin në një temë,” vazhdoi ai.

Sa i përket fjalimeve rrëqethëse të Trump, ku ai shpesh kalon nga një temë në tjetrën, Michaelis tha se mendon se është “logorrea”, e cila mund të lidhet me demencën. Shembull tipik është fjalimi i tij në Potterville, Michigan, ku Trump “kërceu” nga një temë në tjetrën, duke folur nga njëra anë sesi humbi miliarda dollarë në San Francisko dhe nga ana tjetër, brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke vazhduar me mënyrën sesi ai trajtohet si një nga ish-presidentët më të nënvlerësuar të SHBA-së.

Vetë Donald Trump ka folur në të kaluarën sesi ndryshon vazhdimisht temat e bisedës, duke e cilësuar këtë praktikë si “gërshetim”.

“Kur të punoj… do të flas për nëntë gjëra të ndryshme dhe kur të bashkohen të gjitha, do të dalë diçka e shkëlqyer”, thotë ai.

Por ekspertët nuk janë dakord. “Këto janë diskutime shumë jokoherente,” tha Michaelis.

Një ish-mjek i Shtëpisë së Bardhë flet për një kufi të sipërm moshe për presidentët amerikanë.

Allen Francis, profesor dhe kryetar emeritus i psikiatrisë në Shkollën e Mjekësisë Duke dhe autor i një manuali të vitit 2016 mbi kriteret diagnostikuese për një sërë çrregullimesh mendore, nuk besonte se Trump po shfaqte simptoma të një çrregullimi mendor. Megjithatë, ai ka vërejtur se gjendja e tij që atëherë është përkeqësuar, tha ai për Independent.

Francis citoi shembuj të pretendimeve të pabazuara që Trump bëri në debat, si fraza që u bë virale se “emigrantët nga Haiti hanë kafshë shtëpiake”.

Ish-mjeku i Shtëpisë së Bardhë. Dr. Jeffrey Kuhlman, i cili ka qenë mjek i shumë presidentëve, duke përfshirë Obamën, Bushin dhe Klintonin, beson se duhet të ketë një kufi të sipërm moshe për kandidatët presidencialë nëse ata nuk pranojnë t’i nënshtrohen vlerësimeve objektive njohëse.

“Nuk mund të bëhet pilot i linjës ajrore pas moshës 65 vjeç, as agjent i FBI-së pas moshës 57-vjeçare”, tha ai për Independent. “Presidenti (SHBA) ka pozicionin më të fuqishëm në botën e lirë.”

Artikulli paraprak“Lufta ka qenë të mundej Basha dhe të faktorizohej Berisha”/ Ardi Stefa: Sot më shumë se kurrë kërkohet një opozitë e çliruar nga pengmarrja
Artikulli tjetërMesazhi fortë i SHBA dhe Britanisë ndaj mazhorancës Rama: Jepni llogari, mos pengoni fuqizimin e institucioneve të Drejtësisë!