Mungesa e dhurimit, a është zgjidhje gjaku artificial? Rreziqet dhe sfidat

Në shumë vende ka shumë pak dhurues gjaku dhe shumë pak mjekë. A është zgjidhja për këtë – gjak artificial?

Furnizimi me gjak është një problem serioz në mbarë botën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në shumë vende ekziston problemi i sigurimit të mjaftueshëm të gjakut, që është një garanci për jetën e shumë pacientëve. Në veçanti në vendet e varfëra është problem i madh. Nga 118,5 milionë dhurime gjaku çdo vit në mbarë botën, 40% mblidhen në vendet me të ardhura të larta, ku jeton vetëm 16% e popullsisë së botës.

Megjithatë, edhe në këto vende ka një nevojë të vazhdueshme për gjak. Shpesh, edhe pagesat me para në dorë dhe dhuratat e mëdha nuk mjaftojnë për të bindur njerëzit të dhurojnë gjak. Vetëm në Gjermani nevojiten rreth 15.000 njësi gjaku çdo ditë.

Çfarë analizash bëhen te dhuruesit e gjakut?

Kushdo që dëshiron të dhurojë gjak duhet të jetë i shëndetshëm – për mbrojtjen e shëndetit të dhuruesit dhe marrësit. Për të përjashtuar infeksionet, matet temperatura e trupit, pulsi dhe tensioni i gjakut, si dhe përqendrimi i pigmentit të kuq të gjakut (hemoglobinës) – me një shpim të vogël në majë të gishtit ose në vesh.

Gjaku testohet për antitrupa kundër viruseve të ndryshme: hepatitit, HIV-it, sifilisit dhe infeksionit nga virusi B19. Mjekët më pas kontrollojnë rezultatet dhe nëse gjithçka është në rregull, dhurimi i gjakut mund të fillojë.

Dhurimi i gjakut dhe telemjekësia

Në Gjermani nuk është e domosdoshme që tek dhurimi i gjakut të jenë prezent fizikisht edhe mjekët. Kjo vlen nga viti 2023, kur është mundësuar përdorimi i procedurave të telemjekësisë. Specialistët jo-mjekësorë administrojnë dhurimin e gjakut, kryejnë ekzaminime dhe mund të japin ndihmën e parë në raste urgjente. Mjeku mund të lidhet me video. Dhurimi i gjakut me telemjekësi ka për synim që njerëzit të japin gjak rregullisht.

Shoqata Gjermane e Mjekëve reagon në mënyrë shumë kritike ndaj kësaj metode. “Përmes lidhjes me video, mjekët nuk mund të vlerësojnë aq mirë gjendjen aktuale shëndetësore të dhuruesit potencial: a po merr frymë mirë dhuruesi potencial, është i zbehtë apo buzët e tij janë pak të kaltërta? Nëse jam ulur përballë personit, ky vlerësim është më i lehtë”, thotë Sven Pajne, mjek dhe drejtues i Institutit për Mjekësi Transfuzioni në Spitalin Universitar Hamburg-Eppendorf. Së fundi, kjo është edhe një çështje e përgjegjësisë.

Megjithatë, përfaqësuesit e pacientëve i mirëpresin fuqimisht rregulloret e reja. Organizata për personat e sëmurë kronikë dhe me aftësi të kufizuara dhe të afërmit e tyre me rreth një milion anëtarë mbron “thjeshtimin e rregulloreve për dhurimin e gjakut, sepse të prekurit gjithmonë duhet të kenë frikë se mund të ketë mungesa, veçanërisht të plazmës”.

A mund t’i zgjidhë problemet gjaku artificial?

Gjaku artificial mund të jetë një zgjidhje tjetër për mungesën e gjakut – veçanërisht për pacientët me grupe të rralla gjaku ose për personat me intoleranca specifike.

Në total, ekzistojnë më shumë se 30 sisteme të ndryshme të grupeve të gjakut. Sistemi ABO i grupeve të gjakut dhe faktori Rhesus janë vendimtare për transfuzionin e gjakut. Vetëm grupi i gjakut 0- mund të përdoret universalisht, por dhuruesit me këtë grup gjaku janë shumë të rrallë.

Në prill të vitit 2024, studiuesit nga Danimarka dhe Suedia ia dolën të shndërronin gjakun nga grupet A dhe B në grupin 0. Kjo u bë e mundur duke përdorur enzimat nga bakteret e zorrëve. Një studim i vitit 2019 ka treguar tashmë se enzimat mundësojnë një konvertim të tillë.

Transfuzioni i suksesshëm i qelizave të kuqe të gjakut

Prodhimi i trombociteve të gjakut dhe, mbi të gjitha, i qelizave të kuqe të gjakut (eritrociteve) është shumë kompleks, sepse këto qeliza me bërthama duhet të dalin nga qeliza të veçanta në palcën e eshtrave. Qasjet më të reja fokusohen në modifikimin gjenetik të këtyre qelizave në mënyrë që ato të jenë në gjendje të prodhojnë sasi më të mëdha të eritrociteve.

Transfuzionet e para të rruzave të kuqe të gjakut të prodhuara artificialisht janë kryer tashmë në Francë dhe Britani të Madhe. Megjithatë, vetëm në sasi shumë të vogla, të cilat përbënin vetëm rreth 1% të sasisë së përgjithshme të gjakut të dhuruar. Nuk kishte komplikime apo efekte anësore. Rezultatet u vlerësuan si një zbulim i madh mjekësor.

Rreziqet dhe sfidat e gjakut artificial

Krijimi i gjakut artificial nuk është pa rreziqe. Mund të ketë efekte anësore, reagime jo të mira dhe shok anafilaktik, nëse trupi reagon ndaj enzimave të huaja ose përbërësve artificialë të gjakut. E kjo mund të cënojë edhe jetën e pacientit. Duhet gjithashtu të sigurohet që gjaku artificial mund të përmbushë të gjitha funksionet e gjakut natyral – nëse mund t’i përshtatet grupeve të ndryshme të gjakut dhe kërkesave specifike të marrësit.

Në përgjithësi, do të kalojnë edhe shumë vite përpara se gjaku artificial të jetë i disponueshëm në sasi të mjaftueshme dhe me sigurinë e nevojshme për përdorim të gjerë. Deri atëherë, dhurimi i gjakut mbetet i pazëvendësueshëm për mjekësinë./DW

Artikulli paraprakNgjarja e panjohur që tronditi Beratin në vitet ’80-të: Vajza e një kryetari kooperative, që ishte edhe deputet i Kuvendit Popullor u dashurua me një arixhi, por babai i saj…
Artikulli tjetërNga Bajrami te Xhixha, shumë shqiptarë priten në fushë sot. Njihuni me sfidat në Ligën e Europës