Pas katër vitesh, gjykata e Apelit vendos për rishqyrtim çështjen Zall – Gjoçaj

Pas katër vitesh përpjekje, dy kërkesash dhe një sërë protestash, dosja e banorëve të Zall – Gjoçaj u vendos për shqyrtim të përshpejtuar nga Gjykata Administrative e Apelit. Ky vendim erdhi menjëherë pas protestës të organizuar nga banorët me 19 shtator para dyerve të kësaj gjykate.

“Zëri banorëvë u dëgjua dhe zëri i banorëve dha efekt! Nuk po kërkojmë as lëmoshë, as ndihmë, vetëm zbatimin e ligjeve të shtetit shqiptar!”– tha për Citizens, pas këtij vendimi, aktivisti Dhimtër Koleci.

Datës e seancës gjyqsore për shqyrtimin e çështjes do të jetë më 24 tetor. Banorët kërkojnë pezullimin e punës së dy HEC – eve “Sekë” dhe “Zajs” në lumin Flim dhe Urakë. Përveç ndalimit të menjëhershëm të funksionimit, ata kërkojnë edhe dëmshpërblim për banorët e zonës për dëmin mjedisor që iu është shkaktuar deri tani.

“Kemi dorëzuar enjë relacion për dëmet që kanë sjellë në zonë. Nuk është problemi i një banori, apo një fshati, por e gjithë prej zona 80 km2, që përshkojnë këto dy lumenj, janë ndërprerë nga rrjedha e vet, kanë ngel pa pikën e ujit”- thekson Koleci.

Edhe pse vendimi i Gjykatës së Lartë ishte në favor të banorëve të Zall – Gjoçaj në nëntor të 2022, për heqjen e licencës së hidrocentralit “Zais”, ky vendim nuk gjeti kurrë zbatim në realitet. Por banorët nuk i kanë humbur shpresat te gjykatat.

“Ne kemi shpresa te gjykatat, megjithëse ka pasur ndërhyrje të oligarkëve, që kanë interesa të drejtpërdrejta me këta HEC – e dhe vendimet e gjykatave me vendim të Këshillit të Ministrave kanë dalë nga zbatimi. Për shembull çështjen e parë që ne e fituam në Gjykatën e Lartë, me VKM e nxorrën nga Parku Kombëtar pjesën ku ishte ndërtuar  HEC – i”- analizon Koleci.

Banorët nuk e fshehin vështirësinë që kanë hasur për të gjetur ekspert gjyqësor dhe mjedisor në mbështetje të kauzës së tyre.

“Sapo i them që është çështje HEC – esh, është një presion shumë i madh. Gjashtë muaj nuk e morën zyrat përmbarimore përsipër për të çuar në vend vendimin e gjykatës”- përfundon Koleci.

Banorët shprehen se nëse nuk do të jenë të suksesshme në vlerësim seancat gjyqësore që do zhvillohen aktualisht, ata do ti drejtohen gjykatave ndërkombëtare.

Zall-Gjoçaj u bashkua me Lurën në vitin 2018 duke formuar Parkun Kombëtar me sipërfaqen më të madhe në Shqipëri, “Lurë-Mali i Dejës”. Në po atë vit, firmës private iu dha leja për ndërtimin e dy hidrocentraleve, ku njëri prej tyre do të ndërtohej në zemër të parkut Kombëtar.

Sipas ligjit nr. 81/2017 në zonat e shpallura “Park Kombëtar”, kategoria II nuk lejohet të ndërtohen linja të prodhimit të energjisë si hidrocentralet.

Në janar të vitit 2022, pas rishikimit të zonave të mbrojtura, territori ku është ngritur sot diga në Zall- Gjoçaj u hoq nga parku “Lurë – Mali i Dejës” dhe nuk është më pjesë e Parkut Kombëtar./citizens.al

Artikulli paraprakSenati amerikan heton lidhjet e zyrtarëve serbë dhe shqiptarë me projektet e Jared Kushner
Artikulli tjetërNuk ka komentuar për të vetët/ PD e Berishës thotë se burgu për Salianjin është politik, Rama u ngre topin që ta gjuajnë!