Kur nuk funksionon ligji, i zgjedhuri me votë kthehet në diktator!

Nga Spartak Ngjela

Jeta e gjallë ka qenë lutë për pushtim, për sundim dhe luftë për ekzistencë.

Ujku nuk merret fare dhe nuk do t’ia dijë se çfarë mendon delja për të. Por te delja mbështetet jeta e tij.

Gjenerali nuk do t’ia dijë se çfarë mendojnë qytetarët e qytetit që ai ka pushtuar me luftë dhe e sundon atë qytet me ushtrinë e tij, se pushtimi është jeta e suksesit të gjeneralit dhe e pushtetit të tij politik.

Diktatori nuk do t’ia dijë se çfarë mendojnë qytetarët e tij të shumtë për të, ai kërkon vetëm frikën e tyre dhe sundimin e tij mbi ta; frikë shoqërore për të fituar sundimin e tij ndaj tyre; sepse gjithë të tjerat, për të, vijnë pas kësaj.

Intriganti nuk do t’ia dijë se çfarë pasojash shoqërore do të sjellë intriga e tij, ai kërkon vetëm ta realizojë edhe pse ajo krijon një shkatërrim të madh, sepse shkatërrimi është qëllimi i tij pushtues, por edhe hakmarrës.

Fitimtari i një lufte që nuk e respekton të humburin me arsyen humane të fitimtarit, shpejt kthehet edhe vetë në humbës.

A nuk e shihni që gjithçka ka qenë luftë për pushtet? Pse sot, a nuk është ende kështu? Kështu është edhe sot, por qytetërimi i zhvilluar ka zbutur Evropën, se pushtetin ajo ka dy shekuj që po e krijon me vota. Por, fitimtari i marrjes së pushtetit me votat e shoqërisë së tij, në shumicën e rasteve, mjetet i ka zbutur, por jo qëllimin dhe arsyen e pushtetit, që në thellësi ende është sundim. Por, në këtë kohë, demokracia e solli që sundimi të vijojë si sundim nëpërmjet ligjit.

Por, a është arritur kjo deri në fund?

Në qytetërimin Perëndimor kjo është arritur, edhe në vendet e demokracive të zhvilluara jashtë Evropës Perëndimore, edhe në Amerikë; por, bota e tretë shihet se e ka ende të vështirë. Sepse, në këto vende, shpesh, fitimtari i zgjedhur me votë të qytetarëve të vendit të tij, është kthyer në diktator.

Por, koha jonë kështu do të vijojë të ecë: ligj, demokraci dhe pushtet politik të ardhur mes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Si lum ai popull që e ka arritur!

Artikulli paraprakSHBA sanksionet të reja ndaj Rusisë, kompania e kriptomonedhave në shënjestër të Departamentit të Thesarit amerikan
Artikulli tjetërIsh-zyrtari i inteligjencës amerikane: Çfarë e lidh Alex Sorosin me narkoshtetin e Edi Ramës?