Detaje hetimi/ “Vëllezërit Hysa” sajuan kompani fiktive për tenderin Kardhiq-Delvinë

Ndërtimi i Lotit 7 të aksit rrugor “Kardhiq-Delvinë”, i tenderuar në vitin 2019, u konsiderua ndër më sfiduesit në të gjithë këtë investim publik. Në këtë pjesë përfshihej vepra më e rëndësishme, ndërtimi i tunelit të Skarficës, me gjatësi rreth 1.3 kilometra.

Por, tenderi zbuloi se problemi më i madh nuk ishte tuneli, por procedurat e prokurimit me vlerë rreth 23 milionë euro.

Pak muaj më parë, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dërgoi për gjykim ish-drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Sonila Qato, ish-zëvendësen e saj, Elona Gogo, si edhe disa punonjës të tjerë të insitucionit. Ato akuzohen për “shkeljes së barazisë në tendera”, pikërisht për procedurën e prokurimit për ndërtimin e Loti 7, “Kardhiq-Delvinë”.

0db0c6be dda6 4ef7 b9ed 451af149175a
Pamje nga ndërtimi i Tunelit të Skarficës, rruga Kardhiq-Delvinë

Hetimet e SPAK-ut provuan se Qato, Gogo e të tjerët kishin favorizuar dukshëm bashkimin e operatorëve “Ircop” S.p.a. & “Sulova Ndërtim Prodhim” &”Vega” & “A&E Engineering”.

Veprimet e mëtejshme proceduriale provuan se, jo vetëm titullarët e ARRSH-së kishin kryer veprime të kundërligjshme, por edhe kompanitë fituese ishin përfshirë në një skemë falsifikimi dokumentash dhe krijimin e situatave fiktive, me qëllim fitimin e tenderit 23 milionë euro.

Sipas të dhënave të siguruara nga “Boldnews.al”, rezulton se në qendër të kësaj skeme falsifikimi dyshohet se është kompania “Vëllezërit Hysa”.

b670c073 7909 4b92 8b61 934ea48f1016
Tabela hyrëse në vendndodhjen e shoqërisë “Vëllezërit Hysa”

Shoqëria me seli në Elbasan nuk rezultonte formalisht pjesëmarrëse në tender, por hetimet fillestare të SPAK-ut dhe, më tej, zhvillimi i tyre nga Prokuroria e Tiranës, krijuan dyshime të forta se shoqëria që kontrollohet nga Agron Hysa kishte lëvizur të gjithë fijet në prapaskenë.

“Sulova”, kompania bijë fiktive

Të dhënat hetimore dhe dëshmitë e marra gjatë hetimit tregojnë se shoqëria “Vëllezërit Hysa” kontrollonte në hije të paktën dy nga katër subjektet që kishin krijuar bashkimin e operatorëve, të cilët u shpallën fillimisht fitues të tenderit për ndërtimin e Lotit 7 të aksit “Kardhiq-Delvinë”.

Shoqëria “Sulova Ndërtim-Prodhim” është regjistruar në vitin 2014 në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ajo është pronësi formale të Elton Musta, ndërkohë që ky i fundit ishte i punësuar tek “Vëllezërit Hysa”.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se veprimet hetimore arritën ka provuar se shoqëria “Sulova Ndërtim” nuk është gjë tjetër vecse një krijesë e shoqërisë “Vëllezërit Hysa” e cila përdoret nga kjo e fundit për qëllime të pjesëmarrjes në procedura prokurimi jo në emrin e saj por në emër të shoqërisë “Sulova Ndërtim Prodhim”.

Sipas prokurorisë, “ky fakt del i provuar edhe nga ndryshimet e bëra në muajin Tetor 2020 ku shtetasi Elton Musta ia shet shoqërinë “Sulova Ndërtim Prodhim” shtetasve Xheni dhe Gentian Hysa, të cilët janë fëmijët e administratorëve të shoqërisë “Vëllezërit Hysa”.

39cb050b 9c3c 4d9b 9ad3 1574398cde6c
Themeluesi i “Sulova Ndërtim Prodhim”, Elton Muska, ua shet kompaninë fëmijëve të familjes Hysa, me kontratën e Tetorit 2020

Edhe në procedurën e prokurimit me objekt “Kardhiq – Delvinë”, shoqëria “Vëllezërit Hysa” nuk merr pjesë vetë, “por përdor shtojcën e saj sic ishte shoqëria “Sulova Ndërtim Prodhim” dhe shtetasi Elton Musta”, thuhet ndër të tjera në aktet e hetimit

Por mekanizmin e asaj që, në aktet hetimore, konsiderohet si “mashtrim në këtë procedurë prokurimi” shoqëria “Vëllezërit Hysa” e zgjeron, duke u vënë në kontakt me shoqërinë “Ircop Itali”.

“Ircop”, mbulesë për “Vëllezërit Hysa”

Hetimi ka provuar se edhe kompania italiane IRCOP s.p.a nuk ishte gjë tjetër “veçse një mbulesë për të plotësuar kriteret e pjesëmarrjes në këtë procedurë prokurimi”.

Nga të dhënat e siguruara  prej prokurorisë, rezulton se “ka qenë vetë shtetasi Agron Hysa (pronari i “Vëllezërit Hysa”), ai që ka vajtur në Itali dhe i ka kërkuar shoqërisë “Ircop” që të marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi”.

Po ashtu, ka qenë po shoqëria “Vëllezërit Hysa” që dërgoi të punësuarën e tyre J.M, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm në Romë, që të marrë kontakt me përfaqësues të IRCOP – Italia.

09fdb946 8277 43e0 9cb7 7e8140f3b4eb
Dokumenti për shpalljen e tenderit “Ndërtimi i Kardhiq-Delvinë”, Loti 7

Gjithashtu, prokurorët kanë siguruar informacionin e mjaftueshëm për të kuptuar se, në Shqipëri është po shoqëria “Vëllezërit Hysa” ajo që kujdeset për nënshkrimin e kontratave të qiramarrjes mes shoqërisë “Ircop Italia” dhe disa shoqërive të tjera me qëllim marrjen me qira nga kompania italiane të disa makinerive apo dhe inerte betoni.

Në dokumentat e tenderit u konstatua se “Vëllezërit Hysa janë kujdesur që Elton Musta të ishte përfaqësues i bashkimit të 4 operatorëve që do të merrnin pjesë në tenderin “Loti 7-Kardhiq-Delvinë”, megjithëse shoqëria e përfaqësuesit, pra “Sulova Ndërtim-Prodhim” kishte përqindjen më të vogël në grupim.

Shoqëria italiane, “Ircop s.p.a” rezulton se, formalisht, ka autorizuar një studio ligjore në Tiranë për të kryer veprimet e hapjes së degës së saj në Shqipëri, si edhe për të tjera veprime administrative të nevojshme për pjesëmarrjen në tenderin 23 milionë euro.

Por, prokuroria ka arritur të zbulojë se këto veprime administrative janë kryer nga shtetasja J.M., e cila ishte e punësuar dhe vepronte për llogari të “Vëllezërit Hysa”.

Në gjyq për “falsifikim dokumentash”

Tenderi “Ndërtimi i aksit Kardhiq-Delvinë”, Loti 7, kaloi në shumë peripeci institucionale, ankime e kundër-ankime, kallëzime e kundër-kallëzime dhe, në përfundim, u anulua vendimi i ARRSH-së për të shpallur fitues bashkimin e operatorëve “Ircop” S.p.a. & “Sulova Ndërtim Prodhim” &”Vega” & “A&E Engineering”.

Ndërkohë, së fundmi, Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim, nën akuzën e “falsifikimit të dokumentave”, shtetasit Elton Musta e Agron Hysa, si edhe personat juridikë “Sulova Ndërtim-Prodhim” dhe “Vëllezërit Hysa”, shpk.

Në në njoftim zyrtar të Prokurorisë së Tiranë, publikuar në 19 Shtator 2024, thuhet se “shtetasit Elton Musta dhe Agron Hysa dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, pasi ata kanë paraqitur në procedurën e prokurimit të dhëna të rreme në lidhje me pjesëmarrësit dhe përfituesit e vërtetë të kësaj procedure prokurimi”.

Në vijim, Prokuroria e Tiranës deklaroi gjithashu se, “edhe personat juridik “Sulova Ndërtim Prodhim”, me NUIS L43027201P dhe “Vëllezërit Hysa” shpk, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Tashmë çështja pritet të shqyrtohet nga gjyqtari paraprak në Gjykatën e Tiranës./ Boldnews.al

Artikulli paraprakLajm i trishtë, ish-lojtari italian gjendet i vdekur me plagë në kokë
Artikulli tjetërKëshilli i Milanos kundër nismës për t’i dhënë aeroportit të Malpensas emrin e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi