Imazhizmi sipas meje

Nga Erl Kodra

Ezra Pound e quante imazhizmin “kompleksitet intelektual dhe emocional në një çast kohor”. Pound kishte parasysh se poezia duhet të zhvishet nga retorika e tepërt, duke u përqëndruar në një imazh të vetëm, të pastër dhe të qartë, që synon përvojën e drejtëpërdrejtë emocionale dhe që kap thelbin intelektual të një situate ose objekti.

Të shtjellosh përvojën e imazhit në të vërtetë mendja njerëzore futet në sfida sa filozofike, aq edhe imagjinatative. Projeksioni që i jep truri njerëzor përvojave të përceptimit të peizazhit që e rrethon – qysh në çastin që sheh dritën e diellit me sy – shërben edhe si baza solide për të ngritur gjithë dijen njerëzore. Nga ky këndështrim, imazhet që shohim në botën që na rrethon përkthehen në dije dhe përvojë mbi të cilat është ngritur gjithë jeta njerëzore.

Për të kuptuar forcën e imazhit – që njëkohësisht shërben edhe si subjekt kryesor i kujtimeve tona – mund të marrim si shembull lindjen ose perëndimin e diellit. Shumëkush ruan në mendjen e tij në formë kujtimesh të gjalla çastin kur lindë ose perëndon dielli, si një ndër kujtimet më të bukura. Me siguri që këto kujtime në formë imazhesh janë të ngulitura aty që në fëmijëri, dhe imazhet janë të lidhura kryesisht me vendlindjen. Kjo përvojë emocionale do ta shoqërojë njeriun gjatë gjithë jetës; sa herë që ndodhet para një lindje ose perëndimi dielli. Dhe sa herë që përvoja përsëritet, ajo përvojë mund të jetë e ngjashme, por asnjëherë e njëjtë. Kjo vjen për shkak se imazhet janë gjithmonë në lëvizje dhe të ndryshueshme – të ngjashme – por kurrë të njëjta.

E bukura e imazheve është se ne mund t’i imagjinojmë ato, mund t’i projektojmë me mendjen tonë, bazuar në përvojat tona. Ne jemi të aftë të imagjinojmë një përëndim dielli pas qafës së malit në vendlindjen tonë, pavarësisht se mund të mos jemi aty fizikisht. Po ashtu, ne mund ta imagjinojmë veten rrugëve të New Yorkut ose Londrës, pavarësisht se mund të mos i kemi shkelur kurrë ato vende. Ndryshe, kjo veti quhet aftësi për të projektuar imagjinatën. Në fakt, kjo cilësi njerëzore ka qenë çelësi që ka bërë diferencën mes qenieve të gjalla në zotërimin e planetit.

Imazhet ekzistojnë dhe kanë ekzistuar gjithmonë, pavarësisht nëse ka patur sy dhe mendje që t’i perceptojnë ato, sepse aty ku ka materie, ka edhe imazh. Imagjononi pak – duke përdorur aftësinë për të projektuar imagjinatën – të shihni me sytë e mendjes peizazhin kur është krijuar ishulli britanik miliona vjet më parë. Imazhi që do të përceptoni mund të jetë shumë larg realitetit që ka patur ishulli, por cilësisht, diçka do të arrini të shikoni edhe kur mbyllni sytë – që mund të jenë gurë të zjarrtë ose llavë – ndërsa formohen kodrat, luginat dhe malet. Ju mund të mos jeni të sigurtë nëse ato që shihni kanë qenë të tilla, por nga ana tjetër, nuk keni dyshime se aty kanë ekzistuar imazhe të mahnitshme dhe të llahtarshme njëkohësisht.

Por le të shkojmë më përtej me projektimin e imagjinatës.

Imagjinoni sikur Zoti ka filmuar gjithçka ka ndodhur prej 13,5 miliardë vjetësh, që nga Shpërthimi i Madh. Do të jenë miliarda të pafundme imazhesh të Universit tonë në lëvizje, që kurrë nuk ndalon por vetëm transformohet. Aty do të jetë edhe historia e planetit Tokë, që kur ishte një lëmsh i zjarrtë. Dhe ne, qeniet njerëzore që do të kthehemi po aty prej nga erdhëm, në pjesë të këtyre imazheve kozmike.

Ky është imazhizmi sipas meje.

Artikulli paraprakDoktor, pse voton si do diktatura?
Artikulli tjetërGazetarët politikë të dy mediave më të mëdha gjermane: Si bën presion Edi Rama