Shfaqja e fundit në Kuvend, është ripërsëritje e të njëjtit skenar, i cili u mbyll një vit më parë në pazar mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Seanca e fundit e muajit, në të cilën deputetët kishin kohën e mjaftueshme për të folur për hallet e njerëzve dhe të popullit, opozita e Berishës u përqëndrua te hallet e saj, sepse për ta PD dhe politika nuk janë gjë tjetër vetëm se kalërim i vullnetit të demokratëve për të zgjidhur hallet e tyre personale.
Në vend që të flisnin për njerëzit dhe për demokratët, ata folën për hallet e tyre.
Në vend të flisnin për korrupsionin e Edi Ramës, ata thanë që Rama na ka burgosur Berishën.
Në vend që të flisnin për talljen e qeverisë me pensionistët, ata thanë se Rama do na burgosë Ilir Metën.
Në vend që të flisnin për talljen me shëndetësinë falas dhe për heqjen e ilaçeve të shtrenjta për pensionistët nga skema e rimbursimit, ata thanë se po na burgosin Fatmir Mediun.
Në vend që të flisnin për dështimin e arsimit dhe për problemet e mëdha që po kalon shoqëria shqiptare, ata folën për burgosjen e Fredi Bejlerit.
Një opozitë që s’ka hallet e njerëzve, por hallet e saj. Në fakt, kjo është bash opozita që i duhet Edi Ramës. Jo vetëm që nuk kanë mundësi për ta rrëzuar Ramën, por ndërtojnë një Ramë që ka fuqi të mbinatyrshme dhe kontrollon gjithçka.
E vërteta është se e vetmja fuqi e Ramës është kjo opozitë e drejtuar nga Berisha dhe e shumëfishuar në shumë kopje të shëmtuara të tij./Namir Lapardhaja