E Ngarkuara me Punë e Ambasadës amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, takohet me trupën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn, ka zhvilluar një takim me trupën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

VanHorn, e shoqëruar nga Mary Kate Butterfield dhe David Backman, këshilltarë ligjorë rezidentë në Ambasadë, është takuar me Kryetaren e kësaj Gjykate, Holta Zaçaj, dhe gjyqtarë të tjerë.

Gjatë takimit, Zaçaj përmendi disa prej hapave të ndërmarrë në lidhje me transparencën dhe informimin e publikut për veprimtarinë e institucionit të Gjykatës Kushtetuese.

Palët në takim shprehën angazhimin për gjetjen e mekanizmave të mbështetjes dhe bashkëpunimit për rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës, në funksion të rritjes së pavarësisë institucionale, garantimit të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të individit, forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Reagimi i Gjykatët Kushtetuese

Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Holta Zaçaj, ka zhvilluar sot, në datën 01.10.2024, një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, zonjën Nancy VanHorn, e cila shoqërohej në këtë takim nga znj. Mary Kate Butterfield dhe z. David Backman, këshilltarë ligjorë rezidentë në Ambasadë.

Gjatë takimit, Kryetarja Zaçaj përmendi disa prej hapave të ndërmarrë në lidhje me transparencën dhe informimin e publikut për veprimtarinë e institucionit të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim jo vetëm rritjen e reputacionit dhe kredibilitetit të këtij institucioni, por edhe bërjen të kuptueshme nga publiku i gjerë të vendimeve të saj. Gjatë kësaj periudhe janë miratuar Rregullorja e Marrëdhënieve të Gjykatës Kushtetuese me Median, është bërë kreditimi i gazetarëve që ndjekin veprimtarinë e Gjykatës duke organizuar edhe konferenca interaktive për shtyp, si dhe ndjekja në Live Stream e seancave gjyqësore publike.

Në vijim, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luan Gjykata Kushtetuese, si një prej institucioneve më të larta në hierarkinë shtetërore, si dhe rëndësinë që mbart paanshmëria dhe integriteti i gjyqtarëve në përmbushjen si duhet të misionit të saj Kushtetues, palët në takim shprehën angazhimin për gjetjen e mekanizmave të mbështetjes dhe bashkëpunimit për rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës, në funksion të rritjes së pavarësisë institucionale, garantimit të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të individit, forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Artikulli paraprakVIDEO/ Ronaldo shënon dhe ndryshon festimin e golit për arsyen e veçantë: Sot ka një tjetër shije
Artikulli tjetër“S’do qeverisin spiunët”- Si e mbrojti Ismail Qemali libanezen në kohën kur shërbeu në Perandorinë Osmane! Historia e të vesë që i preferuari i Sulltan Hamidit do t’i merrte pasurinë