Pak vështrim majtas me dashamirësi

Nga Neli Demi

Para dy netësh ndoqa, jo pa kureshtje por edhe me një lloj mazokizmi që mund të karakterizojë profesionin tim, një podcast/bashkëbisedim dy orësh ndërmjet Arlind Qorrit dhe Lea Ypit. Do ndaja tre reflektime të mijat ku dy të parat edhe mund të shtrembërojnë buzët e disa bashkëpunëtorëve apo miqve ideologjikë (të vërtetë) dhe i treti buzët e dashamirësve profesionalë e jetësorë por që ideologjikisht mendojnë ndyshe.

1. Mendoj që në shkretëtirën e diskursit ideologjik në Shqipëri, produkte të tilla si ky podcast, janë si ca rrebeshe shiu të shkurtra që krijojnë iluzionin se ndoshta mund të mbijetohet edhe ca kohë. Pavarësisht diskursit ideologjik ( për të cilin do flas në komentin e tretë) dhe përmbajtjes elitariste që e bën atë diskutim vështërsisht të përtypshëm nga një masë e madhe njerëzish, mendoj që publikut politik në vend i mungojnë diskutime të tilla nga të gjitha anët e spektrit ideologjik. Në këtë aspekt kureshtja ime paraprake ngeli e kënaqur dhe më la një shije të mirë.
2. Ndjesia tjetër, e lidhur disi me të parën, ishte që realiteti ideologjik në Shqipëri do ishte më i qartë dhe rrjedhimisht më produktiv nëse e majta do përfaqsohej nga figura të tilla, duke përjashtuar këtu mundësinë jo shumë të vogël të “shëndrrimit” në politikanë tipik Shqipëtar në rast inkontaminimi nga pushteti gjë të cilën nuk kam aspak të drejtë ta paragjykoj.
3. Përshtypja e tretë ka të bëjë me përmbajtjen e diskutimit në këtë podcast. Mënyra se si unë e kuptova atë çfarë u diskutua në këtë podkast, ishte shprehja e njëlloj pakënaqësie për gjendjen e të majtës në mbarë botën. Kjo gjë nuk kishte nevojë për ndonjë deduktim të tërthortë por u tha qartësisht nga të dy bashkëbiseduesit. Anija e tyre ideologjike ( po e konsideroj si të përbashkët), duket e ngecur në brigje shkëmbore cektësie ideologjike nëpër të cilat kanë lundruar edhe baballarët, gjyshrit e stërgjyshrit e tyre ideologjikë. Çfarë i ka bërë të “cekta” këto ujra ka qenë një nevojë për të mos u larguar shumë nga bregu i sigurisë por në të njëjtën kohë të shkojnë larg. Çfarë dua të them me anë të kësaj metafore është që “velat e gjera” ideologjike të barazisë e drejtësisë universale nuk mundën të mundin përbënin një avantazh në këtë lundrim afër bregut pa njohur mirë terrenin në të cilin anija po lundron. Ajo çfarë unë mendoj për ideologjinë e të majtës ekstreme, është një mospërfillje totale e natyrës njerëzore dhe stadeve të zhvillimit e të evolucionit njerëzor si dhe nevojës së një mase kritike ndjekësish organiksht të krijuar ( dhe jo dhunshëm). Kjo, sipas këndvështrimit tim, është më pak e vërtetë për të majtën e moderuar e cila ka ditur të “asimilohet” me demokracinë. Dhe ndjesia ime gjatë këtij podcast-i ishte pikërisht e kësaj pakënaqësie ndaj këtij “asimilimi”. Të them të drejtën nuk pata ndjesinë e ekstremizmit nga bashkëbiseduesit po më shumë të një romanticizmi politik me doza nostalgjie. Por ku i dihet?! Ekstremizmi në çdo rast dhe në çdo fushë është produkt i mosnjohjes (moskuptimit) së historisë, traumave dhe dështimeve.

 

Artikulli paraprakIdeja e Ramës për Shtetin Bektashi dhe kërcënimet ndaj kritikëve e mediave, “lajthitje në objekt”
Artikulli tjetër5D e Durrësit/ Bomba e KLSH: Rajli Ndërtim dhe G.P.G morën tendera korruptivë në Bashkinë e Durrësit