Pep Guardiola shokoi botën e futbollit me një deklaratë të bërë disa ditë më parë, ku paralajmëroi largimin e tij nga trajningu gjatë viteve të ardhshme. Trajneri i suksesshëm katalanas, aktualisht në krye të stolit të Manchester City la të kuptohet se eksperienca angleze do të jetë edhe e fundit për të si trajner. Por cilat janë arsyet e këtij vendimi? Fabio Capello beson se i di. Në një intervistë dhënë për “Sky Sport”, Capello sqaron se mendon që Guardiola ka në kokë një projekt të qartë, të bëhet president i Barcelonës një ditë.
Sipas trajnerit italian, në këtë mënyrë Guardiola nuk do të shkëputej nga futbolli dhe kandidatura e tij do të gjente mbështetje të madhe në radhët e popullit “blaugrana”. Në fakt, kjo është një hipotezë e mundshme, pasi ai është një katalanas dhe e ndjen më shumë se kushdo fanellën e Barcelonës. Një tjetër arsye e largimit të Guardiolës nga futbolli si trajner, sipas Capellos është edhe fakti se ai arriti të injektonte një stil të ri, por me kalimin e viteve, kundërshtarët kanë arritur të marrin masat për ta ndaluar dhe pjesërisht ia kanë dalë mbanë. Gjithsesi, për të arritur presidencën e klubit që e bëri të famshëm, Guardiola duhet të presë minimalisht edhe katër vjet, ndërsa nuk është aspak habi që rival në këtë betejë të ketë edhe mbrojtësin aktual të Barcelonës, Gerard Pique, i cili nuk e ka fshehur asnjëherë ambicjen për të drejtuar klubin.