Qindra mijëra qytetarë rrezikojnë të mbesin pa pension teksa kontributet e papaguara nga institucionet shtetërore dhe bizneset kanë arritur në gati 200 milionë euro. Të dhënat e bëra publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, tregojnë se mali i borxheve të sigurimeve të papaguara rritet çdo muaj.
Sipas Tatimeve, në fund të 6 mujorit të këtij viti shifra arriti 197 milionë euro me një rritje prej 13 milionë eurosh krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Ndërsa krahasuar me vitin 2018 borxhi nga kontributet e papaguara është rritur me 43 për qind.
Të dhënat e detajuara tregojnë se aktualisht janë 116 mijë e 397 biznese ose institucione shtetërore, të cilat janë debitore pasi nuk kanë paguar sigurimet e punonjësve të tyre. Të ndara sipas kategorive, institucionet publike rezultojnë se kanë rreth 12 milionë euro sigurime të papaguara. Bizneset e mëdha në formën e subjekteve juridike kanë rreth 110 milionë euro detyrime të papaguara, ndërsa bizneset e vogla kanë rreth 76 milionë euro sigurime të papaguara.
Borxhi ndaj sigurimeve shoqërorë është pjesa ma e keqe e borxhit tatimor për shkak të dramës sociale që mbart. Mijëra punonjës që aktualisht punojnë në shtet apo në privat rrezikojnë të mbeten pa pension në pleqëri. Fenomeni është i përhapur në entet publike. Njësitë buxhetore që administrohen nga pushteti lokal, të tilla si, ndërmarrje ujësjellësi, drejtori arsimore, punonjës së pastrim gjelbërimit shpesh nuk iu paguhen sigurimet, pasi fondet për këtë qëllim transferohen në shpenzime të tjera.
Në vend të frenohet, ky borxh po zgjerohet me shpejtësi nga viti në vit, duke vëne në vështirësi jo vetëm arkën e sigurimeve shoqërore, por edhe pensionet ne të ardhmen.
Detyrimet e akumuluara, të cilat duhet të shkonin për llogari të arkës së Sigurimeve Shoqërore kanë krijuar efekte negative të shumëfishta. Në kushtet e mospagesës së sigurimeve buxheti i shtetit duhet të subvencionojë nga taksat e përbashkëta skemën e pensioneve për të kryer pagesat për përfituesit aktualë.
Dështimi i qeverisë për të mbledhur borxhet e papaguara të sigurimeve vë në rrezik qindra mijëra punonjës që të mbesin pa pension. Në vend që të prioritarizojë mbledhjen e këtyre detyrimeve, shteti merret me aksione boshe si ai për të detyruar bizneset që të deklarojnë paga më të larta.