Nga Rigels Seliman
Pamjet teatrale me të cilat pazari Rama-Berisha po mbush ekranet e mediave nuk janë të reja. Vitin e kaluar një krizë artificiale nisi në parlamentin e Shqipërisë, e nxitur nga kryeministri dhe ish-kryeministri për t’u imponuar si faktorët e vetëm politikë. Në pjesën e tij të marrëveshjes Edi Rama luante rolin e atij që nuk negocionte me non gratat, duke nxitur një readikalizim fallco të kuvendit, për t’iu imponuar shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve Berishën si “lider” të pashmangshëm. Rama e faktorizoi Berishën, të cilit i njohu kryetarin e grupit parlamentar, paçka se Gazment Bardhi ishte shkarkuar nga forumet e PD, duke krijuar një pështjellim në radhët e opozitës. Nisja e zjarrit në parlament përkoi edhe me marrjen e të pandehur të Berishës nga SPAK, një akt kulmues në 34 vitet e tranzicionit, sepse i hapte rrugën daljes e të paprekshmëve të dikurshëm përballë drejtësisë.
Duke ditur se fati i Berishës do të ishte edhe fati i tij, Edi Rama e mbajti me steroide ish-kryeministrin, që pas disfatës së 14 majit dhe atë të Kukësit, ishte në cep. Por pa Berishën Edi Rama nuk ka më tekst përballë qytetarëve, që janë lodhur me korrupsionin dhe keqqeverisjen e tij, prandaj e mban atë mbi ujë, i bindur se një I mbytur si Berisha do të mbysë edhe atë. Kjo krizë artificiale e nisur në tetor të vitit të kaluar prodhoi efekte shkatërruese për interesin publik, pasi karriget e përmbysura dhe flakadanët në kuvend, i lejuan Edi Ramës të kalonte buxhetin më të madh të tranzicionit, në vetëm 7 minuta. Pa debate, pa kundërshti, miliona euro shkuan në drejtim të paditur, pa oponencën e duhur, pasi deputetët që janë në parlament për të mbrojtur interesat e qytetarëve, po luanin teatrin për mbijetesën politike të krerëve të tyre. Kriza artificiale e vitit të kaluar u mbyll me pazarin Rama-Berisha për amnistimin e të korruptuarve të Edi Ramës, nga mbyllja e listave dhe me dhënien e vulës së PD-së Berishës, përmes trysnisë politike dhe zhageve me euro të oligarkëve që mbajnë librat e llogarive të bizneseve të përbashkëta mes njerëzve të Ramës dhe Berishës.
Me të njëjtin teatër po nis dhe pazari i radhës Rama-Berisha. Pamjet e vitit të kaluar riciklohen në emër të deputetit Salianji, që u dënua nga e njëjta trup gjykuese që i dha vulën Berishës me ndërhyrjen e mazhorancës, duke nxjerrë në pah hipokrizinë e atyre që bërtisnin rroftë drejtësia në 11 qershor. Natyrisht dyshja e vjetër nuk shqetësohet për faktin se teatrit të tyre i ka dalë boja, pasi janë të dënuar të bashkëpunojnë ngushtësisht për t’i bërë ballë SPAK-ut, që po kafshon nga të gjitha anët. Por teksa ata luftojnë për kokën e tyre, dëmet ekonomike bëhen përherë e më të mëdha, pasi buxheti si akti më i rëndësishëm i viti, kalon në errësirë, pa llogaridhënie, pa transparencë, por si një akt privat i një dysheje që e sheh shtetin si një vegël në duart e tyre.