Problemi i madh i Shqipërisë, ekonomia rritet vetëm për oligarkinë

Nga Klodian Tomorri

Familjet shqiptare shtrënguan rripin sërish vitin e kaluar duke ulur konsumin real me më shumë se 1 për qind krahasuar me vitin 2022. Të dhënat janë bërë publike nga INSTAT në Anketën e e Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare.

Sipas INSTAT, vitin e kaluar familja mesatare shqiptare e përbërë nga 3.7 persona shpenzoi mesatarisht 91 mijë e 675 lekë në muaj. Në terma nominalë kjo shifër është 3.7 për qind më e lartë se në vitin 2022, por kur përplaset me inflacionin, që për vitin e kaluar rezultoi 4.8 për qind, ajo tregon se familjet shqiptare kanë ulur konsumin real me 1.1 për qind.

Rënia e shpenzimeve familjare për konsum për të disatin vit me radhë, në pamje të parë krijon një situatë paradoksi, ku nga njëra anë ekonomia rritet, ndërsa nga ana tjetër familjet konsumojnë më pak.

Sipas INSTAT, vitin e kaluar Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.94 për qind në terma realë. Teorikisht, me një shpërndarje të njëtrajtshme të rritjes, familjet shqiptare duhet të ishin 3.94 për qind më të pasura se sa një vit më parë. Por të dhënat e konsumit tregojnë një panoramë tjetër. Dhe shpjegimi më racional për këtë paradoks është shpërndarja e rritjes ekonomike, e cila me sa duket shkon vetëm tek një kategori e ngushtë përfituesish duke mos prekur qytetarin mesatar.

Ky përfundim konfirmohet edhe nga struktura e rritjes ekonomike. Sipas INSTAT, gati 90 për qind e rritjes ekonomike vitin e kaluar erdhi nga vetëm dy sektorë. Ata janë ndërtimi dhe turizmi. Ky i fundit përvijon një tjetër situatë paradoksi. Shqipëria ka shumë turistë, por pak rritje ekonomike.

Arsyet lidhen me kategorinë e turistit mesatar që viziton Shqipërinë, por edhe strukturën e shpenzimeve të tyre. Përveçse turisti mesatar në Shqipëri shpenzon relativisht pak, vetëm 360 euro sipas të dhënave zyrtare, edhe struktura që ushqen këto shpenzime mbetet problematike. Një pjesë e madhe e konsumit shtesë që vjen nga turizmi furnizohet nga importi, teksa prodhimi bujqësor në Shqipëri është në pikiatë të pandalshme.

Aktualisht Shqipëria prodhon më pak prodhime bujqësore se sa 4 vjet më parë, për shkak të rrudhjes së vazhdueshme të këtij sektori.

Megjithatë shifrat tregojnë se Shqipëria ka një problem të madh strukturor me ekonominë. Teorikisht vendi ka rritje ekonomike. Por praktikisht shumica e familjeve nuk përfitojnë fare nga ajo, e madje vazhdojnë të shtrëngojnë rripin duke ulur konsumin. Sepse ekonomia rritet vetëm nga dy sektorë. Ndërtimi, përfituesit e të cilit janë oligarkët dhe më pak turizmi, i cili shpërndan përfitime vetëm për oligarkët dhe jo degët e tjera zinxhir në të gjithë ekonominë, pasi furnizohet me import.

Në fakt, panorama ekonomike sot duket sikur reflekton vizionin e qeverisë. Beton për të kanalizuar paratë më origjinë të dyshimtë dhe turizëm të kufizuar vetëm tek strategjikët e saj. Gjithë të tjerët janë jashtë./Kapitali.al

Artikulli paraprakRreziku që i kanoset kombit prej autokratëve pas rënies së diktaturës, sipas autorit të Rilindjes!
Artikulli tjetërBojkoti ndaj komisionit “Xhafaj”: revolta amerikane kundër Edi Ramës