Mos paraqitja e institucioneve më të rëndësishme të Drejtësisë në komisionin ‘Xhafaj’, ku peshën më të rëndësishme padyshim e ka ajo e SPAK-ut, është një qënrim i qartë bojkotues.
Një qëndrim, që me shkrim i bën të ditur ‘Xhafajt’, se kemi të bëjmë me një gjë të menduar mirë e gjatë. Dhe ja thotë hapur mazhorancës se nuk ka asnjë problematikë nga prokuroria speciale për të kërkuar një ndërhyrje ligjore.
Nga ana tjetër, SPAK thekson se qëndrimet e kërkesat i ka bërë të ditura publikisht, ndaj i takon Parlamentit që t’i plotësojë ato.
Vendimi i SPAK është një demonstrim mjaft i fuqishëm, sa në formë aq edhe në përmbajtje. Në formë, për t’i treguar mazhorancës se prokuroria speciale nuk është një shtesë e saj, e nuk mund të bashkëpunojë me ato subjekte që në Kushtetutë e në ligj janë pjesë e hetimeve.
Një distancë higjenike e SPAK me politikën është një protokoll korrekt, për të mos krijuar asnjë alibi apo për të qenë objekt i ndonjë shantazhi apo miklimi.
Kjo është forma, dhe është korrekte, ndërkaq, përmbajtja e këtij bojkoti është shumë e rëndësishme, sa e bën komsionin ‘Xhafaj’ dhe tentativën e mazhorancës, si një lëvizje pa sens në luftën ndaj korrupsionit.
Edhe pse shkresa është e SPAK dhe e prokurorëve të saj, duket se prapa këtij qëndrimi të fortë janë SHBA dhe BE.
Të cilët duke qenë realisht truprojat e SPAK, i kanë lëshuar Edi Ramës një shuplakë të fortë, së bashku me Xhafajn, që sot vjen me një lëkurë të re.
Ndryshe nga ajo e 2016-s, kur hartoi reformën në Drejtësi, sot, i thirrur nga kryeministri, pasi e ‘shkeli me këmbë’, kërkon ta revizionojë.
Nuk është sekret synimi i mazhorancës dhe opozitës së Berishës që duan ta “zbusin” apo ta konturojnë fuqinë e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë. Sipas tyre, SPAK po vepron në mënyrë jacobine, ndaj duhet të jetë i kujdesshëm, e sipas të gjitha gjasave komisioni ‘Xhafaj’, do të hapë debatin për “mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
Duket që amerikanët nuk janë dakord në një squllje proceduriale të prokurorisë specile. Ata e duan ashtu siç është, madje edhe më agresiv. Sepse në fund të fundit, SPAK është një palë në lojë, pasi gjithçka e bën gjykata nëse miraton apo jo kërkesat e prokurorëve a avokatëve. Amerikanët e duan SPAK të jetë agresiv, pasi ndryshe nuk frikësohet korrupsioni në nivelet e larta.
Kjo situatë, pra e refuzimit apo e bojkotit të SPAK duket se e lë “mbretin Edi” lakuriq, pasi çdo veprim apo akt ligjor, nuk mund ja mveshë më “kërkesave të institucioneve”. E ndaj SPAK, sipas gjasave i këshilluar nga amerikanët, nuk kërkon të bëhet bashkëfajtor me politikën për një hap prapa. Amerikanët dhe europianët, me këtë duan të thonë se kërkojnë hapa para, madje shumë përpara të prokurorëve në plotësimin e dosjeve të korrupsionit të nivelit të lartë.
Me këtë akt, si Xhafaj ashtu edhe Rama, që duket qartë se ka një dakordësi me Sali Berishën, nuk mund të përdorin komisionin për ndonjë ‘lëvizje në errësirë’ që të zbusë luftën e SPAK.
Madje nëse do ta bëjë, do të ketë përballë madje fort amerikanët, e ka shumë gjasa edhe dosjet e plotësuara ndaj korrupsionit.
Duket, se tashmë loja po bëhet edhe më e ashpër, dhe më e hapur. Kur të mbërrijë ambasadori i ri i SHBA, do të shohim spektakël deri në zgjedhje. Siç e thotë babloku: “nuk kemi parë gjë akoma!”./Pamfleti