Nga Parlamenti në qeli, si i arrestoi Enver Hoxha opozitarët në sallën e Kuvendit në vitin 1946! Prangosja pa procedura e “Grupit të Deputetëve”

NGA PROF.DR. ELMAS LECI

Kam shkruar edhe një herë tjetër për ish-grupin e deputetëve të Parlamentit të parë shqiptar të pas Luftës Antifashiste. Atëherë në Shqipërinë e pas luftës ishte mbisunduese parulla “Për Shqipërinë demokratike!”, apo “Rroftë Shqipëria demokratike!”, parullë e cila ishte kudo, por edhe në fasadën e sallës ku u mblodh Asambleja e parë Kushtetuese, madje edhe pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 dhe ca më vonë.

Ishte një demagogji e tërë, e ngritur gradualisht në sistemin e kohës. Në zgjedhjet e para të pas Luftës, Enver Hoxha ua pati nevojën njerëzve të shquar, që nuk bënin pjesë në partinë e tij, e si të thuash ato njerëz intelektualë kishin jo vetëm reputacion në popull, por kishin mbajtur ende një qëndrim pro pushtetit të ri se “shpresonin se ende diçka do të bëhej për këtë popull pa dallim feje krahine dhe ideje”. Mirëpo këtyre njerëzve idealistë me reputacion në popull, Enver Hoxha me dredhi ua mori votën, e pastaj, as një vit më pas dhe fiks më 23 dhjetor të vitit 1946 dha urdhrin e tij direkt dhe nisi kalvarin e arrestimit të deputetëve që bënin opozitë.

Në atë fund dhjetori në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, nga Enver Hoxha iu vunë prangat deputetëve Riza Dani, Kolë Prela, Zef Haxhia, Hysni Peja, Shefqet Beja, Riza Alizoti, Kol Kuqali, Selaudin Toto, Enver Sazani, Irfan Majuni, Faik Shehu, Sheh Karbunara, Konstandin Boshnjaku, Islam Radovicka. Dhe krahas këtyre arrestoi edhe figura të tjera të rëndësishme të luftës si Sulo Konjari, Ramazan Tabaku, Foto Bala, Abdyl Kokoshi, Syrja Selfo, Mestan Ujanuku, Beqir Çela etj., të gjithë intelektualë të shquar e atdhetarë të mirë, sepse dolën hapur si grup në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore dhe morën përsipër të bënin opozitën në Kuvendin e parë të deputetëve shqiptar të pas luftës. Arrestimet e deputetëve, duke shmangur Kuvendin, ishin domethënia e frikshme se çfarë do të vinte më pas ashtu edhe siç erdhi. Ato veprime ishin atëherë dhe mbeten edhe sot e gjithë ditën, fakte e ngjarjeve terroriste që na tregojnë pragnisjen, pragfillimin, preludin terrorist të diktaturës së egër të Enver Hoxhës.

ARRESTIMI I DEPUTETËVE, PA DYSHIM PRAGFILLIMI I DIKTATURËS

Në fakt, “mllefin” ndaj “Grupit të deputetëve”, kështu i etiketuan “deputetët” opozitar apo ata që kishin mendime ndryshe nga Enver Hoxha e beniaminët e tij jugosllavë dhe kështu u ka mbetur ky emërtim ende sot, si rezultat i historisë së shkruar keq e manipulative komuniste, që vijon ende. Përse-ne nuk po na e shpjegojnë?! “Inatin” për ta, për ata deputetë që arrestoi Enver Hoxha, e kishte që nga para përgatitjet e zgjedhjeve të 2 dhjetorit të vitit 1945, për “lëpirjen” që u kishte parabërë për t’i futur kandidatura e tyre në zgjedhje, pasi i duheshin të pavarurit në proces zgjedhor.

Me dokumente, pikërisht më 17 tetor të vitit 1945, tamam në prag të zgjedhjeve për në Asamblenë Kushtetuese, Enver Hoxha zhvilloi Plenumin e 4-t të partisë e maskuar në atë kohë nën siglën e Frontit. Enver Hoxha, jo pa qëllim e theksoi atë në referatin e tij, ku evidentoi se “reaksioni (kupto: opozita kundër partisë së tij) nuk i kishte rrënjët në ujë”. Me këtë ai po thoshte e po bënte thirrje për të vepruar me masa represive ndaj njerëzve që kishte të dhëna për properëndimore. “Reaksioni” –tha Enver Hoxha aty- po nxit njerëzit për të krijuar brenda nesh një lëvizje opozitare”. Këto qëndrime të Enver Hoxhës tregonin qartë se ai e kishte konsoliduar me kohë mendimin që një seri deputetësh, që do të dilnin nga zgjedhjet e 2 dhjetorit, do të ishin opozitar të programit të tij qeverisës e do të bënin opozitën. Kundërshtarët nuk i donte, se gjatë Luftës atyre, politika e asaj partie sllaviste “iu vuri pushkën”.

Dhe ashtu rezultoi. As një vit nga zgjedhjet, Enver Hoxha duke mos duruar mendimet opozitare të njerëzve të tillë deputetë, urdhëroi menjëherë e arrestoi direkt nga salla e Kuvendit, të parin grup, që ai e quajti grupi i Shefqet Bejës.

Dokumentet thonë se së bashku me deputetët, ai urdhëroi edhe arrestimin e një seri përkrahësish të opozitarëve dhe jo pak, por plot 24 vetë, nga të cilët dënoi me varje në litar e me vdekje 16 prej tyre. Ndërsa nga grupi i dytë i deputetëve, i quajtur grupi i Riza Danit, u gjykuan formalisht 19 vetë nga të cilët 7 i dënuan po me vdekje në litar e me plumba pas koke.

Para se t’i varnin apo pushkatonin, personat e arrestuar i torturuan në disa shtëpi të Sigurimit në Tiranë, si qe shtëpia e Serreqit (në të djathtë të Sheshit “Avni Rustemi”), te “Shtëpia me gjethe” (që tashmë dihet), te shtëpia te “Selvia” (në Rrugën e “Dibrës”), te shtëpia e Ali Qorraliut (te 9-të katëshet) si dhe në dy burgjet e Tiranës.

Të gjithë deputetët e dënuar rezulton se të gjithë “ishin të lutur” nga Enver Hoxha që të pranonin të bëheshin deputetë me argumentimin për “interesa të Shqipërisë”. Kandidaturat e tyre i futën në listat e Frontit, jashtë kandidaturave të partisë komuniste dhe ata të gjithë pranuan, meqë u shtrua çështja “për të mirën e Shqipërisë”, por me një gjë nuk u solidarizuan kurrë “që Shqipëria të qeverisej me mendimet e një njeriu, qoftë edhe ai që i ishte bërë një propagandë e madhe për Luftën, të Enver Hoxhës”. Për këtë, për të ndaluar revanshin komunist ata u bënë pre e përndjekjes deri në arrestim, që u kushtoi jetën.

E vërteta është se në atë kohë opozita, fillimisht i duhej Enver Hoxhës sa për opinionin e jashtëm të zgjedhjeve, që t’i paraqiste si demokratike. Për këtë duhej përfshirja në listat e zgjedhjeve të personaliteteve jashtë radhëve të komunistëve. Ky ishte kusht i të mëdhenjve anglo-amerikanë për njohjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Kjo nuk u bë dhe ata nuk e njohën Shqipërinë.

Me përfshirjen në listat e kandidaturave për deputetët e parë, Enver Hoxha u duk sikur ishte pro demokracisë, por që ishte një gjë e stisur, që binte ndesh me synimet për qeverisjen pa opozitarë, ndaj ai synonte sa të fitonte zgjedhjet e të paraqitej para botës si regjim demokratik, mirëpo e vërteta qëndronte ndryshe që vetëm grupimi i komunistëve të ishte në skenën politike e të sundonte i vetëm Shqipërinë, pa diskutim me diktaturë.

Në fakt, për të mos thënë më tej, politika komuniste e qeverimit e vetme pa demokraci, ishte e vjetër që nga “Mukja”, ku filloi fare hapur lufta jo vetëm ndaj organizatave të tjera politike “Balli” e “Legaliteti”, por edhe ndaj eksponentëve potencialë opozitarë, që për fatin e keq në Shqipëri pas Lufte e pati edhe “Grupi i Deputetëve”, që ishte opozita reale, e cila kishte marrë përsipër të hapte siparin e mendimit ndryshe në Shqipëri por që nuk u bë, që nuk e la me terror regjimi i Enver Hoxhës deri në vitet ’90-të.

Nisur nga interesat kombëtare, në zgjedhjet e 2 dhjetorit, njerëz me bindje anti Enver Hoxhë, ndonëse pranuan të vendoseshin në listat e Frontit, nuk i ndërruan bindjet e tyre demokratike, sepse ato njerëz qenë jo vetëm të mençur, por edhe me integritet.

DEPUTETËT U ARRESTUAN, VETËM PËR MENDIMIN NDRYSHE

Dokumentet arkivore flasin vetë për ato lloje deputetësh të zgjedhjeve të 2 dhjetorit, që ishin opozitarë të ndershëm e figura të shquara të kombit shqiptar, p.sh. Shefqet Beja, që u bë deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, kishte qenë pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste. Mendimet e tij ai asnjëherë nuk i fshehu, madje me gojë e me shkrim se ai “ishte për një sistem liberal ekonomik” duke kundërshtuar në Kuvend vijën e partisë komuniste. Për këto Enver Hoxha urdhëroi arrestimin dhe e dënoi me varje në litar sepse mendimet e tij binin ndesh me atë nga e kish drejtuar “busullën” regjimi, nga sllavët.

Pa diskutim Enver Hoxha me jugosllavët i kishin survejuar mendimet që shprehnin kandidatët për deputetë në takime me zgjedhësit, mendime që tregoi se ishin “regjistruar” e arkivuar. Nuk mund ta përtypte Enver Hoxha që deputeti Shefqet Beja të botonte, siç botoi në gazetën “Bashkimi” në qershor të vitit 1945, disa artikuj mbi politikat ekonomike, që “duhet të zbatoheshin në Shqipëri dhe rrugën ku e si duhet të ecte ekonomia shqiptare”. Në ato artikuj deputeti Shefqet Beja shpaloste “idetë e tij për një sistem liberal ekonomik në Shqipëri, ku peshë dhe rëndësi duhet t’i jepej prodhuesit privat, i cili duhet të kujdesej vetë për cilësinë e prodhimit dhe gjetjen e tregjeve të shitjeve”. Jo vetëm kaq, jo vetëm në drejtim të ekonomisë por deputeti Shefqet Beja, nuk i fshehu pikëpamjet e tij edhe mbi sistemin politik, “që duhej të vendosej në Shqipërinë e pasluftës”.

Në referatin e tij të mbajtur në Kongresin e Frontit Demokratik në gusht të vitit 1945, Shefqet Beja argumentonte domosdoshmërinë e minimizimit të rolit të Partisë Komuniste në drejtimin e vendit, duke i mëshuar rëndësisë se Fronti, e cila me që nuk kishim tjetër, të paktën sipas tij duhej të merrej si një organizatë që përfshinte një shumicë absolute shqiptarësh. “Konkretisht -theksonte Shefqet Beja, – Frontit i bie barra që ta udhëheqë e ta edukojë popullin në rrugën e demokracisë dhe ashtu si në kohën e Luftës, kur ai ishte organizuesi dhe mobilizuesi i popullit…, ashtu edhe sot, akoma më shumë i takon të jetë udhëheqësi dhe mobilizuesi i popullit për demokracinë dhe konsolidimin e saj në vendin tonë”.

Koncepte të tilla të ngjashme për zhvillimin ekonomik e politik të vendit kishte edhe deputeti tjetër pa parti Konstandin Boshnjaku, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë. Konceptet e tij mbi zhvillimin ekonomik të vendit, ai i paraqiti në Këshillin e Ministrave më 22 dhjetor 1945, me anë të një Promemorie ku shkruante se “jam i mendjes që ne, iniciativës private duhet t’i japim rëndësi të madhe, duhet të inkurajojmë dhe sidomos të mos e shqetësojmë herë pas here, pasi…pa iniciativën private nuk mund të bëhet as rindërtim, as ndërtim dhe asnjë përparim në ekonominë tonë”. Në Promemorien që përmendëm, deputeti Konstandin Boshnjaku paralajmëronte Këshillin e Ministrave dhe drejtuesit e lartë komunistë se “mungesa e iniciativës private do ta çonte ekonominë shqiptare në një ekonomi parazitare”. Ai shprehej i pakënaqur edhe me Reformën Agrare…, që sipas Boshnjakut, “shteti nuk duhet të ndërhynte në sipërmarrjen e lirë dhe politika ekonomike duhej të kishte qëllim shtesën e prodhimit dhe pasurimin e atyre që punojnë”. Mendimet e Konstandin Boshnjakut, të Shefqet Bejës e të dhjetëra të tjerëve deputetë ishin mendime që binin ndesh me konceptin për drejtimin e ekonomisë së centralizuar shqiptare të huazuar, të Enver Hoxhës.

RREGULLORJA E PARË E KUVENDIT ISHTE PRETENCË NDAJ DEPUTETËVE

Po përse Enver Hoxha vetë i promovojë dhe i la këta njerëz të shquar që të ngjiteshin deri lart në deputetë, duke i pasur ata, siç ka theksuar po vetë, “ferra” nëpër këmbë?! Është e provuar me dokumentacione sjelljeje e tij se për ato momente, ato lloj figurash i duheshin Enver Hoxhës që të legjitimonte në Shqipëri pushtetin komunist. Siç duhet thënë se ato figura iu deshën po Enver Hoxhës, që opinioni i gjerë ta mbështeste atë, për në pushtetin që e kishte “sjellë” me grykën e pushkës. Tashmë zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 janë të super dokumentuara se u zhvilluan nën trysninë dhe dhunën terroriste të komunistëve e si rezultat, ato u bënë nga perëndimorët objekt kontestimi.

Asambleja Kushtetuese që doli nga “zgjedhjet” e 2 dhjetorit të vitit 1945, përbëhej nga 82 deputetë gjithsej, nga të cilët 48 ishin deputetë komunistë, pra shumica. Të tjerët ishin personalitete me shenjën opozitarë e dhanë menjëherë me qëndrimet e tyre që në seancën e parë të 10 janarit 1946. Dhe këtë me diskutimet, qëndrimet dhe votimet e tyre në të gjitha Komisionet e Kuvendit, ku ata diskutuan gjatë, e shfaqën pa rezerva dhe kundërshtime si për miratimin e ligjeve në bllok, ashtu edhe për të ardhmen e politikës ekonomike të Shqipërisë, deri për Rregulloren e parë të Kuvendit, e cila nuk ishte gjë tjetër veçse një pretencë ndaj lirisë së fjalës së deputetëve. Lufta politike mes deputetëve komunistë dhe atyre pa parti, pra opozitarë në periudhën janarmars 1946, në Kuvend ishte e ashpër dhe e pabarabartë. Pati kundërshti të forta e me baza të pakundërshtueshme për projekt Statutin e Republikës apo Kushtetutën e parë të pas Luftës, ku deputetët opozitarë stigmatizuan thelbin e saj si të tërë ideologjik, ashtu edhe pjesët social ekonomike.

Duke mos parë asnjë rrugëdalje e asnjë përfillje për mendimet ndryshe opozitare i pari deputeti Riza Dani, siç shkruhet edhe në Proces Verbalin e seancës së Kuvendit, propozoi me ironi që “Shqipëria të deklarohej Republikë Socialiste Popullore”. Diskutimet dhe miratimi i një seri ligjeve dhe përfundimisht i Kushtetutës, e cila ishte e njëllojtë në parime si ajo jugosllave, u dha fund edhe shpresave më të vogla të deputetëve opozitarë për një Shqipëri demokratike.

Si rezultat i kundërpërgjigjes ndaj kërkesave demokratike, me urdhër të Enver Hoxhës nisën arrestimet në masë, veçanërisht ndaj intelektualëve të shquar, për të cilat fajin pas 1948, ai ia “mtefi” Koçi Xoxes. Veçanërisht bujë bënë arrestimet e inxhinierëve në Maliq dhe pas tyre u erdhi “radha” edhe deputetëve, të cilët nuk u vinin për josh mendimeve të Enver Hoxhës.

Grupin e deputetëve i arrestuan në dy faza. Bashkë me deputetët arrestuan edhe figura të tjera të njohura të Luftës si Sulo Konjarin, Ramazan Tabakun, Riza Alizotin, Foto Balën, Abdyl Kokoshin, Syrja Selfon, Mestan Ujanikun e të tjerë. Edhe në procesin gjyqësor, deputetët i ndanë po në dy pjesë, duke i etiketuar si grupi i Riza Danit dhe grupi tjetër i Shefqet Bejës.

Deputetët ishin personalitete. P.sh. Sheh Kurbunara, që kishte qenë një ndër firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë, Enver Hoxha e dënoi me vdekje me varje në litar. Dr. Enver Sazani, që ishte Drejtor i Spitalit Ushtarak, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Salaudin Toto, ishte themelues i Institutit të Shkencave Shqiptare dhe Drejtor i atij Instituti, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Sulo Klosi, i diplomuar në Fakultetin e Gjeologjisë së Naftës në Strasburg e kryeinxhinier në Rubik, e dënoi me vdekje, me varje. Riza Alizoti, i diplomuar në Oksford dhe i specializuar në Strasburg për shfrytëzimin e minierave, e dënoi me vdekje, me varje. Selim Kokolari, ish-pedagog në Liceun Francez të Gjirokastrës e mbështetës i Luftës, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Muhamet Prishtina, djali i patriotit Jahja Prishtina, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Hysen Shehu, djali i Sheh Kurbunarës, e dënoi me vdekje, me pushkatim. Abdyl Kokoshi, diplomuar për Drejtësi në Paris, e dënoi me vdekje, me pushkatim etj.

* Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

Artikulli paraprakLëvizjet e PS, patronazhistët në sulm për diasporën
Artikulli tjetërSituata e rënduar nga përmbytjet në Vlorë, Gjergji Nika: Dëmi përllogaritet në 100 mln euro