Gazetari Poli Hoxha ka deklaruar në emisionin “3D” te Alban Dudushit në RTSH1 nën moderimin e gazetares Sonila Agostini se protesta e 7 tetorit u bë e gjitha për Sali Berishën.
Hoxha tha se përveç faktit që në këtë protestë qytetarët treguan problemet e tyre ekonomike që kanë, në fakt tubimi para Kryeministrisë ishte për Sali Berishën.
“Pavarësisht se nga kush u thirrën qanë hallet e tyre që kanë në Korçë, Shkodër, Tiranë etj., për problemet dhe varfërinë e tyre, çmimet super të rritura apo për indeksimet e pensioneve 7 mijë lekë në muaj që nuk janë asgjë fare. Çështja është tek ata që e thirrën protestën ? Dhe pse e thirrën? Protesta është bërë për Sali Berishën. Është hipokrizi ta fshehësh”, u shpreh Hoxha.
Gazetari Hoxha theksoi më tej se Berisha është në një kontekst të atillë politik kur gjendet para drejtësisë ashtu si edhe aleati i tij, Ilir Meta.
“Sali Berisha është në një kontekst të caktuar. Vetëm ditën e protestës nuk mbajti fjalim, se po të kishte mbajtur fjalim do ta kishte thënë vetë thelbin. E tha një ditë më parë dhe një ditë më vonë. Dhe thelbi është beteja “jetë a vdekje” që ai ka me Drejtësinë dhe posaçërisht me SPAK dhe GJKKO”, tha Hoxha.