Karabina: Projektligj për t’ia kaluar KOKSH-it organizimin e sporteve në sistemin arsimor, është në shkelje të kuadrit rregullator kombëtar e ndërkombëtar

Karabina: Projektligj për t’ia kaluar KOKSH-it organizimin e sporteve në sistemin arsimor, është në shkelje të kuadrit rregullator kombëtar e ndërkombëtar

 

Zëdhënësja e PD-Demokratët Euroatlantikë, Mirela Karabina, në një deklaratë për mediat është shprehur se në vitin elektoral të zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës, Edi Rama dhe Qeveria kanë nisur nga keqpërdorimi i burimeve shtetërore për të siguruar vota për ruajtjen e pushtetit.

Karabina thotë se së fundmi, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka propozuar një projekt-ligj i cili synon që t’i kalojë kompetencat e organizimit të sportit në sistemin arsimor, tek KOKSH. Ajo thotë se kjo bëhet në shkelje të kuadrit rregullator kombëtar e ndërkombëtar dhe në përplasje të neneve ekzistuese me nenet e parashikuara për ndryshim në këtë projekt-ligj.

Sipas saj, ligji njeh dy federata për zhvillimin e sportit në sistemin arsimor: Federatën Shqiptare të Sportit Universitar, për arsimin e lartë, dhe Federatën Shqiptare të Sportit Shkollor për arsimin parauniversitar. Dy Federatat Sportive që kanë atributin ligjor për të zbatuar këtë projekt në sistemin arsimor i janë drejtuar Komisioneve Parlamentare të Ligjeve dhe Edukimit dhe kërkojnë rishikim të këtij projekt-ligj.

Karabina më tej thotë se projekt-ligj po kalon në mungesë të plotë të konsultimit publik, veçanërisht me grupet e interesit dhe me Federatat përgjegjëse.

DEKLARATA E ZËDHËNËSES SË PD-DEMOKRATËT EUROATLANTIKË, MIRELA KARABINA

Në vitin elektoral të zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës, Edi Rama dhe Qeveria kanë nisur nga keqpërdorimi i burimeve shtetërore për të siguruar vota për ruajtjen e pushtetit.
Presioni ndaj adminstratës publike, miratimi i fondeve për rritje pagash e pensionesh apo punësime partiake sezonale në prag fushate, koncesione e PPP për klientët e pushtetit dhe sanksionimi i tyre me ligje “të porositura”, janë fenomene të listuara e të dokumetuara në raporte kombëtare e ndërkombëtare.
Së fundmi, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka propozuar një Projekt-Ligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.79/2017 “Për sportin”, i ndryshuar”, në shkelje të kuadrit rregullator kombëtar e ndërkombëtar dhe në përplasje të neneve ekzistuese me nenet e parashikuara për ndryshim në këtë projekt-ligj.

Thënë më thjesht, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka propozuar një Projekt-Ligj i cili i kalon kompetencat e organizimit të sportit në sistemin arsimor nga Federata Shqiptare e Sportit Shkollor, tek KOKSH

Ky Projekt-Ligj po kalon në mungesë të plotë të konsultimit publik, veçanërisht me grupet e interesit, veçanërisht me Federatat.

Më dhjetor 2022, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) nisën zbatimin e Projektit “Ekipet Sportive në Shkolla” me vlerë 5 milion euro.

Qeveria e Edi Ramës dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit buxhetin miliona euro për zbatimin e këtij projekti ia besuan KOKSH, ndërkohë që Ligji i Sportit Nr. 79/2017 “Për Sportin”, i ndryshuar, Statuti i KOKSH-it, Karta Olimpike dhe Karta Evropiane e Sportit, në asnjë rast nuk parashikojnë që aktivitete garuese të organizohen dhe zhvillohen nga KOKSH.

Ligji njeh dy federata për zhvillimin e sportit në sistemin arsimor: Federatën Shqiptare të Sportit Universitar, për arsimin e lartë, dhe Federatën Shqiptare të Sportit Shkollor për arsimin parauniversitar.

Federata Shqiptare e Sportit Shkollor, është ajo që duhet të zbatojë këtë projekt në shkolla. Zbatimi i këtij projekti nga KOKSH, është një shkelje e drejtpërdrejtë e kuadrit ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar me qëllim centralizimin e sportit për të justifikuar shpërdorimin e burimeve shtetërorë financiare në interest të pushtetit dhe dëm të të rinjve shqiptarë.

Përmes propagandës se me këtë projekt do të krijohet “sporti elitar”, në mungesë trasparence dhe llogaridhënie, megjithëse derdhen miliona nga taksapaguesit shqiptarë, as nga MAS dhe as nga KOKSH nuk jepet i qartë projekti, objektivat e tij, rezultatet e pritshme, monitorimi i tyre, vlerësimi dhe rezultatet e arritura.

Dy Federatat Sportive që kanë atributin ligjor për të zbatuar këtë projekt në sistemin arsimor ia janë drejtuar Komisioneve Parlamentare të Ligjeve dhe Edukimit dhe kërkojnë rishikim të këtij projekt-ligj përmes diskutimi të hapur me të gjithë aktorët me qëllim që propozimi të jetë koherent dhe që kontribuon në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Komisionet parlamentare kanë detyrim institucional ta rishikojnë këtë projekt-ligj në përputhje me përcaktimet ligjore.

Dërgimi i projekt-ligjeve të porositura për të preferuarit e pushteti të Edi Ramës, fenomen i këtij pushteti, është tregues i qartë i degradimit në qelizë të kësaj qeverie që pushtetin e ka konsideruar vetëm për përfitime në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe rrënimit të shtetit.

Sipas grupeve të interesit, për të përmbushur objektivat, organizimin e aktiteteve sportive, mbështetjen e federatave dhe trajnimi me paga dinjitoze të trajnerëve, do te nevojiteshin 2.5 milion euro, ndërkohë që sot paguhen 5 milione euro nga xhepat e qytetarëve më të varfër të Europës dhe mbështetja e federatave është minimale dhe pagat e trajnerëve janë mizerabël.

Atëherë, ku shkojne këto para? Kush mban përgjegjesi për këtë shpërdorim?

Për Partinë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, sporti është një nga prioritetet e Programit tonë, për të cilin ka një plan të qartë jo vetëm për mbështetje por dhe për zhvillimin e tij me standarte më të larta europiane.

Artikulli paraprakJoe Biden anuloi udhëtimin, shtyhet edhe takimi mes Ukrainës dhe aleatëve
Artikulli tjetërKombëtarja humb “pjesët”, sulmuesi lë grumbullimin për shkak dëmtimi! Ftohet për herë të parë Indrit Tuci