Projektet e Procesit të Berlinit për Shqipërinë

Gjatë këtij viti që sapo ka hyrë pritet të nisin një sërë projektesh në vendet e rajonit që kanë të bëjnë me atë që njihet si Procesi i Berlinit dhe që synojnë rritjen e ndërlidhjes mes gjashtë vendeve, përfshi këtu edhe Shqipërinë.
Po gjatë këtij viti është parashikuar që të mbahet edhe Samiti i radhës, këtë herë në kryeqytetin italian, Romë. Vendet e Ballkanit Perëndimor do të raportojnë mbi ecurinë e investimeve të ndërlidhjes që financohen në emër të këtij projekti të madh. Po cilat janë investimet që pritet të nisin kryesisht në mesin e 2017-s?
Në rastin e Shqipërisë bëhet fjalë për projektin hekurudhor Tiranë–Rinas–Durrës, ku kostoja totale parashikohet në 81.5 mln euro dhe ku partnerët janë Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe Hekurudha Shqiptare.
Në Serbi, projekti është pjesë e Korridorit Orient/East-Med e që ka të bëjë me ndërtimin e segmentit hekurudhor Serbi–Bullgari. Vlera totale e projektit është parashikuar në 84.4 mln euro dhe data e fillimit do të jetë mesi i vitit 2017, ndërsa pritet të përfundojë më 2019-n.
Për Kosovën, bëhet gjithashtu fjalë për të njëjtin korridor, e më konkretisht për ndërtimin e linjës hekurudhore që do të lidhë Maqedoninë, Kosovën dhe Serbinë. Për pjesën e Kosovës, vlera totale e projektit është parashikuar në 42.3 mln euro dhe pritet të realizohet nga InfraKos Sh. A. në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Koha e fillimit edhe për këtë projekt pritet të jetë gjithashtu mesi i vitit 2017.

Artikulli paraprakSi mashtron qeveria me rritjen ekonomike
Artikulli tjetërA do të kemi energji në ditët e ftohta?