Shkeljet dhe favorizimet, kush është kompania që manipuloi dokumentacionin për të fituar tender! Bashkia e Durrësit nuk kreu oponencë teknike

 

VETTING

Bashkia e Durrësit,  më datë 11. 09. 2020 ka hapur garën për “Rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në lote, në kuadër të procesit të rindërtimit” duke i ndarë në 9 lote, ku, sipas dokumenteve, vetëm 1 lot është kryer konformom procedurave të ligjshme. Bëhet fjalë për një fond 10 miliard lekë dhe  kohëzgjatja e kësaj marrëveshjeje kuadër do duhej të kryhej për 12 muaj.

Por çfarë ndodh?

Miliardat u shpërndanë te një dorë kompanish nga dy ose më shumë lote pa pyetur për kriteret që duhej të plotësonin këto subjekte.

Ekonomistja Romina Radonshiq thotë se kemi të bëjmë me keqmenaxhim të fondeve dhe keq organizim të projektit.

“Ka të bëj me keq menaxhim të fondeve, por edhe keq organizim të projektit” shpjegon Romina Radonshiq.

Bashkia e Durrësit nuk ka kryer oponencë teknike, për këtë procedurë prokurimi në kundërshtim me ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 dhe konkretisht në nenin 6 parashikon:

“Oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve do të bëhet për të gjitha llojet e ndërtimeve, me vlerë të preventuar së paku 100 milionë lekë, nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve”

Por pse është e rëndësishme oponenca teknike?

Për çdo rast, institutet shtetërore ose entet e tjera, që kryejnë oponencën teknike, janë solidarisht përgjegjëse me projektuesin për çdo dëm që rrjedh si pasojë e gabimeve ose të metave të oponencës teknike, si dhe mbajnë përgjegjësi administrative ose penale, sipas rastit, për shkeljen e legjislacionit në fuqi. Rregullat për projektet, që duhet t’i nënshtrohen oponencës teknike sipas secilës fushë projektimi, si dhe procedurat që ndiqen në këto raste miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

“Përpara se të shkohet dhe të hartohet ndërhyrja duhen ndjekur disa hapa që nga raporti tekniko ligjor pra ballafaqimi i asaj që është në fakt dhe në letër duke vlerësuar edhe aftësinë mbajtëse këto janë të shkruara në letër por detyrim edhe për tu aplikuar”, thotë inxhinieri i ndërtimit Markel Baballëku.

Capture

I iniciuar me shkelje ky tender vijoi i tillë edhe më pas  në Lotin 1: i cili u shpall me  fond limit 102.660.934 thënë ndryshe 1 miliard lekë. Kompania që fitoi garën ishte konsorcumi i “RAJLI NDËRTIM  dhe  GPG COMPANY”.

Në lotin e parë kompania nuk i është përmbajtur projektit duke  u përpjekur të “kursejë për xhepin e vet” dhe është përpjekur të ulë cilësinë si në  suvatime por edhe në  pjesën e lyerjeve të këtyre ambienteve.  Konsorciumi i kompanive ka shkaktuar dëm ekonomik në kurriz të “rindërtimit” apo dhe të dëmtuarve.

Përsa i përket kritereve të vendosura në DST nga ana e Bashkisë Durrës, rezulton se ishin pa argumentim dhe nuk ishin në lidhje të ngushtë me objektin e prokurimit. Po kështu, kërkesa për numrin e punonjësve, rezulton i fryrë dhe e paargumentuar.

Kompania fituese “Rajli Ndërtim” nuk është një subjekti panjohur për publikun. Kjo dinasti zotërohet nga dy aksionere, që janë Enkelejda Gojashi dhe Lediana Mata. Në vëzhgimin e Open Corporates, kompania ka mundur të marrë nga tendera të tjerë 9 milionë euro pagesa nga paratë publike. Nga këto 8 milionë e 700 mijë euro i ka marrë vetëm nga Bashkia e Durrësit, që drejtohet nga Emirjana  Sako, ndërsa 300 mijë eurot e tjetra i ka marrë nga Bashkia e Vorës.

Kompania tjetër  e lotit të parë “GPG COMPANY”  ka si ortak Gëzim Danin dhe biznesmenin tjetër  Paqësor Buzi, administrator i kompanisë,  “G.P.G Company”, i cili ishte akuzuar në shtator 2019, bashkë me një grup prej 49 personash të tjerë dhe rreth 50 kompanisë, për krijim të skemave mashtruese për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe falsifikim të vulave dhe fshehje të të ardhurave.

Buzi ishte kontraktori më i madh i qeverisë në programin e “Rilindjes Urbane”.

Prokurori i çështjes,  aso kohe Bledar Valikaj, nuk pranoi të komentonte të komentonte kur është pyetur nga BIRN për kërkesën për pushimin e çështjes.

Pas arrestimit të Buzit me 5 shtator bashkë me 14 persona të tjerë, organi i akuzës u shpreh se ishin shpallur në kërkim edhe 35 persona të tjerë.  Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, 48 orë pas arrestimit të tyre, vendosi ndaj Buzit masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa më pas ai u lirua edhe nga kjo masë nga Gjykata e Apelit e po këtij qyteti. Prokuroria pretendoi atëherë se biznesmenët e ndaluar i kishin shkaktuar shtetit dëm prej 1.8 miliard lekësh.

E njëjta histori vijon edhe me lotin e dytë të po këtij tenderi ku janë shpenzuar  1 miliard e 360 milionë lekë. Edhe këtu përsëri mungon oponenca teknike, si në rastin e lotit të parë. Gjithashtu, kriteret për kualifikimin e kompanive nuk janë të mbështetura në ligjin për prokurimet. Ajo që bie në sy është një kërkesë e tepruar për numrin e punonjësve, si dhe të shpenzimeve që do të bëhen për ta, çka ka ndikuar në rritjen e kostove të tenderit.  Mes numrit të punonjësve madje është kërkuar edhe një mjek, praninë e të cilit askush nuk e shpjegon se përse duhej të ishte te specifikimet teknike.

Lotin e dytë e fituan bashkimi i kompanive Ante Group” Shpk – “NOVA Construction 2012” Shpk  kjo e fundit  rezulton e themeluar në dhjetor të 2012-s me objekt ndërtimin e godinave një dhe shumëkatëshe. Pronar i kompanisë rezulton Ilir Shtufi me 91% të aksioneve, ndërsa i vëllai, Kujtim Shtufi, ka pjesën tjetër prej 9%.

“Nova Construction 2012”  është kompania që po ndërton kullën “Mount Tirana” ose shqip “Mali i Tiranës”, një ndërtim i vënë nën hetim nga SPAK.

Shkeljet që u bënë në lotet e rindërtimit?

Në lotin e tretë të tenderit u shpenzuan 1 miliardë e 230 milionë lekë, dhe fituese rezultoi kompania “Eurondërtim 2000”.  Vetting ka hulumtuar gjithë procedurën nga ku rezulton se kjo kompani ka manipuluar dokumentacionin në mënyrë që të fitonte tenderin.

eurondertim

Vetting disponon dokumente ku kjo kompani, në raportin e saj financiar ka paraqitur vërtetim për shlyerjen e taksave  për vitin 2020 në një bashki tjetër. Por, sipas ekstraktit historik, rezulton se ka hapur nipt tjetër sekondar në datën 10.06.2020. Pra, nga vëzhgimi del se kjo firmë nuk ka paraqitur vërtetimin për shlyerjen e taksave vendore nga bashkia për këtë adresë të re, duke mos e plotësuar këtë kriter të rëndësishëm të tenderimit. Automatikisht kjo kompani duhej të skualifikohej. Por në fakt ndodhi e kundërta – ajo u shpall fituese.

Për këtë objekt punimesh “Rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në rrugët “Hysen Kërtusha-Abaz Celkupa- Hysen Myshketa-Dëshmorëve”, në kuadër të procesit të rindërtimit” rezultojnë 2 kompani  të ndryshme që kanë marrë tenderin por me numër reference të ndryshëm.

Në datë 11. 09. 2020 ka marrë tenderin e lotit të tretë RAFIN COMPANY SHPK si opsioni i parë i klasifikuar por kjo kompani sa fiton tenderin  tërhiqet në mënyrë të dyshimtë duke ia lënë tenderin kandidatit të dytë në listë.

Në datën  4.12.2020 e ka marrë tenderin “Eurondërtim 2000”.  Teksa në datë 5 Janar 2021, Bashkia e Durrësit shpall kontratën e nënshkruar nga kompania Eurondërtim 2000.

Duke qenë se kriteret e vendosura në DST për të gjitha lotet e kësaj procedure kanë qenë pothuajse të njëjta, rezulton se ky operator ekonomik nuk kishte kapacitetet e nevojshme njerëzore si dhe përsa i përket stafit teknik dhe mjeteve për të kryer në kohë dhe në cilësi punimet për lotet ku ka marrë pjesë dhe është shpallur fitues. Në fakt, ky operator i kishte punonjësit e ndërtimit, mjetet dhe stafin drejtues të angazhuar në punimet që po kryheshin në lotin 9, punimet e të cilit nuk kishin përfunduar në kohën që është zhvilluar kjo procedurë prokurimi, duke mos ofruar siguri për kryerjen në kohë dhe me cilësi të punimeve.

Veprimet e mësipërme kanë sjellë lidhjen e një kontrate me vlerë 123,690,103 lekë pa tvsh, me OE “E. 2000” shpk, i cili nuk plotësonte kriteret e DST-së dhe është shpallur fitues në papajtueshmëri me legjislacionin e prokurimit publik.

Këto shkelje dhe favorizime për firma që nuk kishin kapacitetin e duhur, e as dokumentacionin e duhur, janë sot ndër faktorët se, përse ende rindërtimi vijon dhe qytetarët janë pa shtëpitë e premtuara nga qeveria.

Loti 4 është i vetmi që rezulton pa probleme dhe i dhënë sipas ligjit dhe kritereve të paracaktuara sipas ligjit.

Ndërsa Loti i 5 i rikthehet problematikave si tre të parat, ku ka vijuar me të njëjtat “diagnoza”, siç është lista e fryrë e punonjësve  dhe shpenzimet e tepruara. Për shkak të këtyre abuzimeve me punonjësit, shpenzimet për këtë tender kanë shkuar mbi 1miliard e 266 milionë lekë.

Tenderin me objekt “Rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në Rruga e Dëshmoreve – Shëtitores Taulantia- Bulevardit Dyrrah- Epidamn, në kuadër të procesit të rindërtimit”, e ka fituar  kompani “Dion-al ish shpresa shpk me ortak Renaldo joanidhi me 43% të aksioneve  Aldi Zaimi  me 30 % të aksioneve Elona Zaimi me rreth 13% të aksioneve dhe Shpresa Joanidhi me 13% të aksioneve.

Kjo e  fundit në shtator të vitit 2019 u arrestua bashkë me disa biznesmenë të tjerë për krijim skemash mashtruese me TVSh-në dhe prokuroria i akuzoi se ishin shkaktarë të miliona eurove dëm ndaj shtetit. Për habi, kompania e saj, e cila aktualisht ka si pronar bashkëshortin e saj Alfred Joanidhi, djalin e tyre Renaldo Joanidhi dhe një person tjetër të quajtur Aldi Zaimi, vazhdon të marrë ende tendera. Dhe jo dosido, por tendera me miliona euro.

Ky ishte rasti i dytë që përfituesit kanë qenë pjesë e mashtrimit me rimbursimin e TVSH-së.

Në kontratën për lotin 6 evidentohen përsëri problematika. Përsa i përket kritereve të veçanta të vendosura në DST rezulton se kriteret për kualifikim nuk janë argumentuar dhe nuk ishin në lidhje të ngushtë me objektin e prokurimit, si: kërkesa për numrin e punonjësve duket e tejfryrë dhe e paargumentuar me zbërthimin e grafikut të punimeve, makineritë, certifikatat ISO, etj, veprim në kundërshtim me VKM nr. 914, datë 29.12.2014,

Lotin e 6  me fond limit 1miliard e 382 milion lekë e fiton  kompania “Inert”  me Administrator Florjan Muho. Ky i fundit u bë i njohur gjatë zbatimit të kontratës, më 29 dhjetor të vitit 2021, kur fitoi në Bashkinë e Elbasanit  tenderin me objekt ‘Rikonstruksion dhe ndërhyrje në linjën KUZ dhe ndërtim i sheshit të parkimit të Varrezave Publike’. Kompania Inerti shpk rezulton se ka përvetësuar paratë publike përmes certifikimit të punimeve fiktive. Kjo është konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport auditimi të veprimtarisë së Bashkisë Elbasan për vitin 2022.

loti 6

Në tenderin për lotin 7  fiton përsëri firma “Eurondërtim 2000” me objekt “Rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në rrugët Segmentit të rruges Pavarësia- Duna-Barjam Curri- -Kanali ujrave të larta – Kepi Rodonit- Autostrada Durres-Tiranë – Vija bregdetare ura e Dajlanit (Programi i Rindertimit)” e fiton përsëri firma Eurondërtim 2000.

Në loti e 8 tenderi me objekt “Rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), ne rruget Segmentit te rruges Pavaresia- Duna-Barjam Curri- Kanali ujrave te larta- segmeti rruges Pavaresia- vija bregdetare e plazhit Hotel Adriatik -Kavalishenca në kuadër të procesit të rindërtimit”  problemin e  ka iniciuar bashkia që nuk ka bërë oponencë teknike dhe që nuk ka vendosur kritere në bazë të volumit të punës. Këtë tender e ka fituar kompania “Everest” Shpk.

Publikimi i listës së pagave ka nxjerrë në pah edhe aktivitetin e kompanisë së aluminit ‘Everest’ sh.p.k, me administrator dhe bashkëpronar Sokol Çupi. Bashkëpronari tjetër kryesor është Ilir Çupi. Dyshja Çupi ka ndarë për vete deri në 1.4 miliardë lekë në vit fitime nga veprimtaria e kompanisë, ndërsa për punëtorët kanë deklaruar paga jashtë realitetit të tregut, madje për një pjesë të punëtorëve kanë deklaruar rroga nën pagën minimale të vendosur me ligj nga qeveria.

Në lotin e 8  Bashkia Durrës përsëri nuk ka bërë oponencë teknike. Po këshu ajo nuk ka vendosur kriteret në bazë të volumit të punës që do të kryheshin në terren duke e lënë kompaninë Everest të lirë.

Në lotin e 9  si tender e ka marrë përsëri firma Eurondërtim 2000. Duke paraqitur listpagesën e muajit tetor 2020 ku rezulton se disponon 121 të punësuar. Ky operator ekonomik është shpallur fitues dhe ka lidhur kontratën në datën 12.10.2020 me bashkinë Durrës për lotin 9 me objekt: “Rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në zonën e shkëmbit të Kavajës”, në kuadër të procesit të rindërtimit – me fond limit rreth 1 miliard e 50 milionë lekë.

Në këto tender janë shpallur fitues përafërsisht të njëjtat firma. Ku herë ka gabuar kryebashkiakja Sako, duke mos bërë oponencën teknike, e herë firma nuk i është përmbajtur projektit, çka hedh dyshimin se kriteret janë vendosur në kundërshti me ligjin dhe në atë lloje formë që mund t’i vijnë përshtat vetëm një firme që është përcaktuar më parë si fituese.

Pavarësisht se janë lëvruar miliarda në drejtim të rindërtimit, dhe se mbushen plot pesë vite që nga rënia e tërmetit, shumë njerëz mbeten ende në mes katër rrugëve. Vetting ka sjellë vetëm disa prej tenderave që janë dhënë jashtë kriterit, ndërkohë që dhjetëra familje vijojnë të jetojnë më shumë në qiell të pastër se sa me çati mbi kokë.

Tragjedia e 26 Nëntorit 2019 ka përmasat e saj të tragjedisë njerëzore, por njëkohësisht, bart mëkatet e pazbardhura të atyre që në vend të shtëpive për të pastrehët shikojnë se si të zhvasin miliona, me bekimin e zyrtarëve, që mbyllin sytë përpara shkeljeve.

Artikulli paraprakBasha në Beograd kërkon respektimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginsë së Preshevës: Të rishikohet shërbimi i detyrueshëm ushtarak për pakicat
Artikulli tjetërDëmtoni shëndetin! Ja ushqimet që nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën