Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shkodër, ku një 32-vjeçar ka denoncuar në polici se është kërcënuar. Mësohet se i riu është Arlind Bushati, djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati i PD për Bashkinë e Shkodrës.
Sipas policisë, persona të paidentifikuar që qarkullonin me motor dyshohet se i kanë drejtuar armën 32-vjeçarit afër një lokali në pedonalen e Shkodrës, ku ka pasur edhe shumë qytetarë të tjerë në lokal.
Mësohet po ashtu se personat që kanë kërcënuar të riun, kanë qenë të maskuar me skafandër.
Njoftimi i policisë:
Më datë 11.10.2024, në orën 09:30, shtetasi A. B., 32 vjeç, ka kallëzuar se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, persona të paidentifikuar që qarkullonin me një motomjet, i kanë drejtuar një send, në dukje armë zjarri, afër një lokali në pedonalen e Shkodrës.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore.
Nga veprimet paraprake të kryera dhe informacionet e marra në rrugë operative, paraprakisht dyshohet për dy shtetas, por për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit.