Dy persona kanë humbur jetën gjatë ditës së djeshme në dy aksidente që ndodhën në Tiranë. Aksidenti i parë me pasojë një të vdekur dhe tre të plagosur ka ndodhur gjatë natës në Tiranë. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e Laprakës, ndërsa janë përplasur dy automjete. Mësohet se viktima është një vajzë, e cila ishte pasagjere në njërin prej mjeteve që u përplasën, ndërsa të plagosurit janë drejtuesit e mjeteve dhe një vajzë tjetër, e cila ishte pasagjere.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, njëra prej automjeteve të përplasura ka qenë me shpejtësi të madhe dhe ka kaluar në semafor të kuq. Në automjetin që ishte me shpejtësi, raportohet se shofer ishte një mashkull dhe bashkë me të udhëtonin edhe dy vajza të tjetra.
“Njëra nga vajzat ka dalë nga xhami. Tjetra është e masakruar në fytyrë”, janë shprehur dëshmitarët në vendngjarje. Të plagosurit janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa policia ka nisur hetimet.
Policia e Tiranës ka dhënë detaje për aksidentin e ndodhur në kryqëzimin e Laprakës. Sipas policisë, është arrestuar në flagrancë shoferi Ervin Bixhi, 26 vjeç, pasi drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit. Dy mjetet janë përplasur në rrugën “Dritan Hoxha”, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër të përfshirë në aksident është me detyrë oficer policie. Viktimë ka mbetur Xh. T, 28 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ishte pasagjere së bashku me vajzën tjetër, F. F, 25 vjeçe në mjetin e Ervin Bixhit.
Ndërkohë një tjetër aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në segmentin rrugor Tiranë-Fushë Krujë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 ku drejtuesi i automjetit tip “Mercedes Benz”, me inicialet Gj. Gj., ka aksidentuar një këmbësor të seksit mashkull, rreth 40 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e plagëve të marra. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe identifikimit të viktimës së këtij aksidenti. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga Shërbimet e Policisë Rrugore për veprime të mëtejshme.