“Pensionistët viktimat e keqqeverisjes”, Basha: Programi i Demokratëve Euroatlantikë mundëson rritje vjetore me të paktën 5% dhe indeksim të përvitshëm me dyfishin e vlerës së inflacionit

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, ka postuar një video në facebook me të moshuar të zhgënjyer nga rritja qesharake e pensioneve.

Basha shkruan se një qeveri që i shërben vetes dhe jo qytetarëve, nuk ka dhembshuri për pamundësitë dhe mjerimin e pensionistëve. Sipas tij, pensionistët shqiptarë janë viktimat kryesore të rritjes së çmimeve, të rritjes së kostos së jetesës, të rritjes së taksave dhe abuzimit korruptiv me to.

Ai gjithashtu shprehet se indeksimet qesharake, janë lëmoshat e një qeverie arrogante, të shkëputur nga hallet e njerëzve.

Basha më tej thotë se pensionistët shqiptarë meritojnë më shumë dhe programi i Demokratëve Euroatlantikë trajtojton me përparësi dhe seriozitet rimëkëmbjen e skemës së pensioneve, që sot është në prag të falimentimit, për shkak të shpopullimit dhe rënies së kontributeve.

Postimi i plotë i Bashës:

Një qeveri që i shërben vetes dhe jo qytetarëve, nuk ka dhembshuri për pamundësitë dhe mjerimin e pensionistëve. Zërat e tyre plot dhimbje dhe zhgënjim janë dëshmia e dështimit të kësaj qeverie.

Pensionistët shqiptarë janë viktimat kryesore të rritjes së çmimeve, të rritjes së kostos së jetesës, të rritjes së taksave dhe abuzimit korruptiv me to.

Indeksimet qesharake, janë lëmoshat e një qeverie arrogante, të shkëputur nga hallet e njerëzve, e cila tregon se ata që nuk u kujdesën dot për pensionistët gjatë një pushteti të tejzgjatur dhe të pamerituar duhet të ndëshkohen me votë, për t’i hapur rrugë një qeverie që kujdeset për pensionistët dhe familjet shqiptare.

Pensionistët shqiptarë meritojnë më shumë dhe përmes programit të Demokratëve Euroatlantikë ne angazhohemi ta trajtojmë me përparësi dhe seriozitet rimëkëmbjen e skemës së pensioneve, që sot është në prag të falimentimit, për shkak të shpopullimit dhe rënies së kontributeve. Ne angazhohemi për rritje vjetore me të paktën 5% dhe indeksim të përvitshëm me dyfishin e vlerës së inflacionit. Për pensionet e ulëta, ato të bukës së gojës dhe ilaçeve, do të ketë një bonus të përhershëm 250 mijë lekësh të vjetra.

Modernizimi i sistemit të pensioneve dhe rritja ekonomike e garantuar nga ulja e taksave, mirëadministrimi dhe lufta frontale ndaj korrupsionit, do të na mundësojë ta ripërtërijmë skemën, në përputhje me praktikat më të mira europiane dhe të bëjmë të mundur rritjen dhe shumëfishimin e pensioneve, duke zhdukur diferencat e tmerrshme midis pensioneve të larta dhe pensioneve të ulëta.

Shqipëria meriton më shumë!

Artikulli paraprakPaqeruajtësit akuzojnë Izraelin: Forcat e tyre ushtarake hynë në bazën e OKB-së në Liban
Artikulli tjetërGjyqi për Rezart Taçin, dëshmojnë 3 persona