MARIETA MERKURI/ Vera e vitit 1994 ishte një periudhë e ngjeshur me përpjekje të vazhdueshme për ngritjen e universitetit të Vlorës, nis bisedën tonë mes kujtimesh, ish-zëvendës rektori i parë i universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës Prof.Dr. Spiro Çaushi.
Vitet e kanë plakur, por dashuria për këtë universitet nuk ka kurrë plakje për të. Me dosjen e mbushur plot fotografi të kohës, shënime, shkrime të ndryshme të ruajtura në rrjedhën e kohës biseda me profesor Spiron vazhdon me emocion. Lajmi për hapjen e një universiteti në Vlorë ishte një ndër lajmet më të gëzueshme për të gjithë qytetarët e Vlorës. Ky universitet, ishte ëndrra e të gjitha brezave të intelektualëve të këtij qyteti. Detyra e parë, tregon prof. Spiro, ju ngarkua Drejtorisë Arsimore të asaj kohe për të hartuar një listë specialistësh që kishin kryer studimet e larta brenda dhe jashtë vendit me rezultate të larta, pikërisht për të formuar stafin fillestar të pedagogëve.
Pas transformimeve demokratike të vitit 1992 me një numër të lartë intelektualësh të përgatitur, Vlora do të ishte qyteti i parë në vend që do të kishte universitetin e saj. Për ngritjen e universitetit të Vlorës nga ana e Ministrisë së Arsimit u ngrit një grup pune me drejtues prof. Sezai Bazaj dhe prof. Spiro Çaushi ku merrnin pjesë edhe drejtuesit e fakulteteve të Universitetit të Tiranës si dhe specialistë të fushave nga qyteti i Vlorës. Ideja ishte një shkollë e lartë universitare me tri fakultete. Një bord i posaçëm nën drejtimin e të cilit vepronin grupe pune nisi veprimtarinë për ngritjen e Universitetit Teknologjik të Vlorës. Për formimin e fakulteteve të kësaj shkolle të lartë u krijuan grupe pune që u formuan dhe drejtuan nga specialistë dhe akademikë me eksperiencë të përzgjedhur nga universiteti i Tiranës, universiteti politeknik dhe ekspertë lokalë.
Fakultetet po krijoheshin në një moment shumë të favorshëm për të trupëzuar në programet, planet mësimore dhe strukturat e organizimit eksperiencën më të mirë të universitete perëndimore dhe atyre të rajonit si dhe eksperiencën unike brenda sistemit arsimor shqiptar të fituar në kohë të universiteteve dhe shkollave të larta të vendit. Do të ishte ky bashkëpunim dhe partneritet i shumanshëm, i tejçuar në kohë, që do të siguronte një burim të vazhdueshëm dhe të vyer dhe do të karakterizonte në kohë ecurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij universiteti dhe fakulteteve të tij.
Në bordin drejtues u emëruan: Dr. Sezai Bazaj, kryetar, Dr. Spiro Çaushi, zv kryetar , Kristaq Pavli, Janaq Vaso, Pajtime Islami, Dr.Nestor Tereska.{Rector i Universitetit të Tiranës} Dr. Gezim Karapici {Rektor i universitetit politeknik të Tiranës}. Bordi drejtues dhe grupet e punës e përfunduan detyrën e tyre në 15 gusht 1994, datë pas së cilës detyrat për ngritjen e universitetit ju ngarkuan stafit akademik të porsaemëruar.
Vera e këtij viti nuk ishte e lehtë, kujton prof. Çaushi. Ishte një punë intensive për përzgjedhjen dhe emërimin e stafit akademik, rikonstruksionin e godinës kryesore së djegur qysh nga viti 1991, sot godina A. Duhej përfundimi në kohë i planeve dhe programeve mësimore , pajisja e auditorëve me orenditë përkatëse që përkonin me funksionimin normal të një institucioni arsimor dhe më e rëndësishmja, emri dhe tipologjia e tij.
Së bashku me rektorin më është dashur të marrim vendime se çfarë tipologjie duhej të kishte ky institucion arsimor. Institut akademik apo universitet? Mjaft dashamirës europianë na këshillonin që ky të ishte një institut teknologjik se vetëm nëpërmjet kësaj tipologjie mund të kishim mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer të universiteteve europiane. Por fjala institut nuk do të ishte joshëse për studentët vlonjatë. Dhe kështu vendosëm të quhej Universitet Teknologjik.
Së dyti, çfarë emri do të kishte ky universitet? Dëshironim të kishte emrin e një figure të shquar vlonjate, kontribuar për arsimin dhe të pranohej nga të gjitha palët. Më të përshtatshëm se emri i Ismail Qemalit nuk mund të kishte dhe kështu e nisëm propozimin në qeveri, një propozim që u miratua menjëherë, tregon mes kujtimesh të shumta profesor Spiro Çaushi . Me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.105 dt.28.02.1994, lindi universiteti më i ri në Shqipëri, Universiteti Teknologjik “Ismail Qemali” i cili hapi dyert e tij më 10 tetor 1994 për 162 studentët e parë në degët biznes, turizëm, inxhinieri navale dhe infermieri. Në praninë e akademikëve të shquar dhe përfaqësuesve më të lartë të shtetit, më 14 tetor 1994 u zhvillua ceremonia përuruese e universitetit të Vlorës.
Bërthama e parë akademike e Universitetit Teknologjik të Vlorës përbëhej: Rektor Prof. As. Dr. Sezai Bazaj, Zv rektor dhe dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Prof.Dr. Spiro Çaushi, dekan Selman Lamaj dhe Bruna Hilaj ndërsa pedagoget Natasha Ahmetaj, Kristofor Lapa, Flutura Kondili, Diana Kozdine, Vasil Mino dhe Mimosa Shtëmbari. Periudha e çeljes së Universitetit Teknologjik të Vlorës përkoi me një periudhë zhvillimi të vrullshëm të informatikës. Njohja me teknikën kompjuterike, zotërimi i disa gjuhëve të huaja, kontaktet me përvojat më të mira brenda dhe jashtë vendit i krijuan stafit të ri të universitetit shanse për të përvetësuar metodikat e mësimdhënies dhe për tu pajisur me elemente bazë të punës kërkimore shkencore.
Janë kaq shumë kujtime, kaq shumë arritje në këtë universitet saqë e kam të vështirë të përzgjedh momente private nga jeta ime në 18 vjet. Rektorët dhe jo thjesht aftësitë thotë me modestinë që e karakterizon profesor Çaushi e sollën që të isha 14 vjet zv rektor i këtij universiteti. Bashkëpunova me rektorin e parë z. Sezai Bazaj për ngritjen e universitetit që për mendimin tim zë një vend të veçantë në historikun e UV. Nga viti 1998 e deri në vitin 2008 bashkëpunova me rektor z. Bilal Shkurtaj, një bashkëpunim 10-vjeçar që ndikoi dukshëm në arritjet e universitetit. Në këtë periudhë UV u bë institucioni më prestigjioz jo vetëm në qytetin e Vlorës, por në gjithë zonën e jugut të Shqipërisë. Pedagogët e rinj u përfshin në programe kualifikuese brenda dhe jashtë vendit dhe shumë shpejt u fituan masterat e parë dhe doktoraturat. Sukseset që po arrinte universiteti i Vlorës tregoi vlerësimin e MASH për hapjen e degëve të reja si drejtësi, degët inxhinierieke si dhe investime për ngritjen e godinës “c” dhe shtesën e rikonstruksionit të godinës “b.”
Vitet ikin shumë shpejt vazhdon bisedën plot emocion dhe ja, jemi në prag të 30-vjetorit të këtij tempulli madhështor. Me respektin më të thellë për të gjithë ata që kontribuan në themelimin e universitetit, do t’iu uroja drejtuesve të ardhshëm në vite, krahas përpjekjeve për të ngritur lart prestigjin e universitetit, të ruajnë fondin historik të tij i cili besoj se do të ketë vlera gjithnjë e më të mëdha në të ardhmen. Dhjetëvjeçarët që do të pasojnë ta gjejnë këtë universitet më madhështor, një institucion prestigjioz të arsimit dhe shkencës shqiptare. Ishte ky mesazhi i urimit që përmbylli edhe bisedën me profesorin e nderuar Spiro Çaushi, themelues dhe kontribues i paepur në ngritjen dhe zhvillimin e universitetit të Vlorës në vite.