Në një postim në profilin e tij në rrjetin social facebook, anëtari i Këshillit Bashkiak Vlorë dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së PD – Demokratët Euroatlantikë, Myzafer Elezi, shprehet se është bërë nismëtar i thirrjes së një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak Vlorë, në të cilën kryetari i kësaj bashkie duhet të japë llogari për masat e ndërmarra për minimizimin në të ardhmen të përmbytjeve dhe për transparencë në dëmshpërblimin e qytetarëve të prekur. Elezi falëneron në reagimin e tij edhe pjesëtarët e tjerë të opozitës që e mbështetën nismën e tij.
Më poshtë reagimi i plotë:
Të nderuar miq,
Në lidhje me përmbytjet masive që prekën qytetin e Vlorës më 4 dhe 5 tetor 2024, kam ndërmarrë një iniciativë për të kërkuar llogaridhënie nga drejtuesit e Bashkisë Vlorë. Së bashku me këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak, kemi depozituar një kërkesë me shkrim për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak.
Kjo mbledhje do të fokusohet në raportimin e Kryetarit të Bashkisë dhe drejtuesve të strukturave përkatëse lidhur me:
1. Shkaqet e përmbytjeve masive dhe përgjegjësitë përkatëse;
2. Masat e ndërmarra për minimizimin e pasojave të përmbytjeve;
3. Transparencën në përdorimin e fondeve të destinuara për mirëmbajtjen e sistemit të kanalizimeve, kolektorëve dhe hidrovorëve;
4. Mënyrën e dëmshpërblimit të dëmeve të shkaktuara ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Në bazë të Nenit 61 të Rregullores së Këshillit Bashkiak, mbledhja e jashtëzakonshme duhet të mbahet brenda 24 orëve nga momenti i depozitimit të kërkesës. Kërkesa për këtë mbledhje u dorëzua sot dhe është nënshkruar nga 1/3 e anëtarëve të Këshillit Bashkiak.
Falënderoj sinqerisht të gjithë këshilltarët e opozitës që mbështetën këtë nismë, duke nënshkruar kërkesën për mbledhjen e jashtëzakonshme. Presim me padurim njoftimin për zhvillimin e saj.
Ju faleminderit!