Nuk kanë fund skandalet e kësaj mazhorance. Pas dështimit të tentative për të kapur institucionin e vetëm të pavarur në vend, socialistët kanë vënë në zbatim planin B, duke kufizuar punën e tij.
Bëhet fjalë për Kontrollin e Lartë të Shtetit. KLSH është organi i vetëm që deri më tani i ka rezistuar presionit të mazhorancës, e cila ka bërë ç’është e mundur për të futur në xhep edhe këtë sektor. Por duke qenë se kreu i KLSH ka vijuar i pandikuar punën, dje u hodh një hap për të kufizuar punën e këtij institucioni.
Pas vonesave disa mujore, Komisioni i Ekonomisë u kujtua për të diskutuar mbi rezolutën e KLSH. Ndonëse pati ndarje edhe mes socialistëve, në fund u votuan propozimet e Eduard Shalsit dhe Erion Braçes.
Sipas rezolutës së miratuar nga mazhoranca socialiste, KLSH duhet të bëjë transparente kohëzgjatjen, planin dhe grupin e auditimit, duke i vendosur kufij dhe kritere ne mënyrën si do të kontrollohen institucionet publike. Por, rezoluta është vetëm rezolutë dhe KLSH e ka vetë në dorë ta zbatojë ose jo.
Debatet në komision
Pranvera Resulaj, deputete e PS: Kemi venë re që në faqen zyrtare janë bërë publike, auditimet, audituesit, periudhat. Çfarë duhet të publikohet që në nisje, nuk jam shumë e qartë?
Erion Braçe: Ajo që në po kërkojmë t’i caktojmë vetë, t’i bëjmë vetë, ama t’i bëjmë transparente. Për një auditim të caktuar te këtë një proces të caktuar. Nuk mund të jetë thjeshtë dhe vetëm vullneti im personal, që unë do caktoj Erionin, Frrokun dhe Albanin.
Eduart Shalsi, kryetari i komisionit kërkoi që të bëjë një ndarje e barabartë të grupeve audituese.
Eduart Shalsi: Një sekondë more, një sekondë se debat po bëjmë. Shikoni pak se çdo të thotë që një auditues të ketë ngarkesë të madhe, ndërkohë të tjerët të bëjnë vetëm 10% të punës.
Frrok Gjini: Ka një rregullore kur i cakton audituesit, dhe ka drejtor të përgjithshëm. E nëse do ta bëni institucionin me pushtet terrorist atëherë këtë fuqi jepjani një njeriu.
Erion Braçe: Drejtori i Përgjithshëm në përshkrimin e punës ka për detyrë të bëjë punën e të mbajë vendin, kaq, atë të bëj. Drejtori Departamentit ka të drejtë të menaxhojë departamentin, kaq.