Futbolli italian ka kthyer sytë nga të rinjtë. Nga projekti i nisur në bazë të gjerë, përfiton edhe Shqipëria. Dy lojtarë kuqezi, Emanuele Ndoj dhe Shaqir Tafa janë përfshirë mes 100 talenteve të së ardhmes që po rriten në Itali.
Një listë speciale e hartuar nga e përditshmja sportive “Corriere dello Sport”, ku nuk mund të mungonin elementët e spikatur, që kanë mahnitur në Serinë A. Nga portieri Donnarumma i Milanit, te sulmuesi Moise Kean i Juventusit, për të vazhduar me Pietro Pellegri-n, që debutoi në elitë me Genoan në moshën 15-vjeçare.
Përzgjedhja për 100 talentet e futbollit italian është realizuar duke seleksionuar 50 që luajnë ose stërviten në akademitë e klubeve të Serisë A. Nga shqiptarët aty është 18-vjeçari Shaqir Tafa, qendërmbrojtës i Palermos. Edhe pse i lindur në Itali, Tafa zgjodhi të përfaqësojë ngjyrat kuqezi, ku pas grumbullimit me kombëtaren e 19-vjeçarëve, tashmë është kandidat i fort për një vend në skuadrën Shpresa.
Mes 50 talentëve që luajnë në Serinë B është Emanuele Ndoj. Edhe mesfushori 19-vjeçar ka lindur në Itali dhe nga Akademia e Romës u transferua te Brescia ku ka luajtur 11 ndeshje. Pas paraqitjeve me përfaqësueset e 17 dhe 19-vjeçarëve kuqezi, Ndoj synon të kthehet në protagonist në ekipin Shpresa.
Dy yje të së ardhmes që në vendin fqinj i vlerësojnë si e ardhmja e futbollit italian, por që po rriten për t’u shndërruar një ditë në protagonistë me kombëtaren shqiptare.