Edhe pse është viti 2024, dhe kanë kaluar 5 vjet nga tërmeti, ndërsa po afrojnë zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, vijojnë ende tenderat për rindërtimin.
Qeverisja vendore e Durrësit ka hapur tender në datë 16 shtator 2024 me objekt Riaftësim strukturor i Pallatit nr.15, Rruga “Abaz Çelkupa 15”, Rajoni 3, Kod GIS 24795(Programi i Rindertimit ).
Për këtë garë Sako ka hapur konkursin me fond limit 800 milion lekë. Këtë tender e ka fituar bashkimi i kompanive EURONDERTIMI 2000 shpk & EVERESTshpk & SHEHU -2AB Konstruksion shpk.
Sipas Open Procurement Albania ky tender është sinjalizuar me flamur të kuq me mungesë konkurence pasi nuk ka pasur bashkim kompanish.
Pra, sipas Open Data, Eurondërtim, Everest dhe Shehu -2AB kanë qenë të paracaktuara se do të fitonin tenderit si të vetmit në garë.
Kompania euro ndërtim 2000 është identifikuar edhe më herët me problematika dhe me punë të pa kryera nga emisioni Vetting.
Qani Saraci, është pronar dhe administrator i kësaj kompanie. Kjo kompani nga viti 2019 deri në vitin 2024 ka marrë 78 tendera. Eurondërtim 2000 ka marrë nga shteti 1,469,726,047.00 ose thënë ndryshe 14 miliardë lekë përgjithësisht ose shumica e tenderave janë dhënë nga Bashkia e Durrësit. Kjo kompani e ka nisur aktivitetin e saj në 12.03,2000 por aktiviteti nis me humbje në vitin 2012. Por pas vitit 2013 rinis ngjitja e tij financiare.
Kompania tjetër Everest shpk ka 6 ortakë duke nisur me përqindjen më të lartë të aksioneve Sokol Çupi – 25%, Ilir Çupi me 25% të aksioneve Hyqmet Valteri – 12.5%, Esat Valteri – 12.5%, Albert Valteri – 12.5%, dhe Kujtim Valteri – 12.5% të aksioneve .
Kompania tjetër është SHEHU dhe kompania -2AB Konstruksion shpk ka pronar Jani Sheja dhe Afrim Shehu. Ndërsa në datën 26 shtator 2024 është hapur tenderi për mbikqyrjen e po të njëjtës punë “Riaftësim strukturor i Pallatit nr.15, Rruga “Abaz Çelkupa 15”, Rajoni 3, Kod GIS 24795(Programi i Rindertimit ), nga autoriteti kontraktor po ashtu Bashkia Durrës. Fondi për këtë tender është 100 milion por deri më tani nuk ka asnjë ofertues.
Paratë vijojnë të jepen për tendera, bashkitë krenohen me këtë proces. Por, qytetarët vijojnë të mbeten ende nëpër çadra, në qiell të hapur, apo qiraxhinj me paratë e xhepit. KLSH ka konstatuar shkeljet me fondet e rindërtimit dhe cilësinë e punimeve. SPAK ka nisur hetime. E, megjithatë, banorët thjesht lexojnë dhe rilexojnë aktet e qeverisë se shtëpitë e tyre do mund të jenë gati përpara zgjedhjeve të vitit 2025.
A është përdorur rindërtimi për Fushata?
Open Data Albania ka evidentuar shpërndarjen e granteve individuale për Programin e Rindërtimit pas Tërmetit, në muaj të zakonshëm 2020-2023 dhe në muaj pjesë e Fushatave Zgjedhore (30 data përpara votimit).
Nga granti i ndërtimit ose rikonstruksioni ishin në program për të përfituar familjet e dëmtuara nga fatkeqësia natyrore, ku bashkia jepte çelësat për të hyrë në shtëpi. Por, në javën përpara zgjedhjeve të vitit 2021 Bashkia e Durrësit ndryshoi strategji, duke ua kaluar fondin e rindërtimit qytetarëve në llogari bankare- një veprim aq sa i paparashikuar aq edhe i paragjykuar për ndikimin në zgjedhjet e atij viti.
Drejtuesja e Open Data, Aranita Brahaj, ka qenë e para që ka ngritur alarmin e devijimit të fondeve dhe shtyrjeve të punimeve, të cilat, sipas saj, janë shtuar sa herë që janë afruar datat e zgjedhjeve. Kështu, Bashkia Durrës transferoi në prill 2021 mbi 792 milionë lekë grante individuale për rikonstruksione të lehta në banesa.
“Për këtë zonë gjatë 2021, Organizata AIS konsideroi transferimin e fondeve në periudhë zgjedhore si një rast ku paratë publike u përdorën për të ndikuar votuesit në Durrës, dhe në shkelje të Kodit. Për këtë Inicioi një denoncim me kërkesën në Hetim Adminsitrativ në Institucionit Zgjedhor.
Rreth 16% (1.1 miliard lekë) e totalit të pagesave individuale është realizuar në muajt e fushatave elektorale (4 muaj), ndërkohë 84% (4.44 miliard lekë) përgjatë muajve të tjerë (nën vlerësim 35 muaj nga qershor 2020 kur u miratuan grantimet e para individuale deri maj 2023)”, shprehet Brahaj.
Në Durrës aplikimi i theksuar i granteve rezultoi në muajin Prill 2021, muaj që përkon me datat finale përpara votimit për deputet./Balkanweb