Deputeti italian: Kampi i refugjatëve në Shqipëri ka dështuar që ditën e parë

Sekretari i përgjithshëm i lëvizjes +Europa, Riccardo Maggi, deklaroi të enjten se kampi italian i refugjatëve në Gjadër ka dështuar pasi po shpenzohen miliona euro për të strehuar një grusht emigrantësh.

“Dje erdhën 16 emigrantë dhe më pas 4 u kthyen mbrapsht. Mendoni çfarë do të ndodhë kur të jenë 400 emigrantë që do të tentojnë të sillen këtu,” tha Maggi pas një vizite në Gjadër së bashku me deputetët Rachele Scarpa dhe Roberto Valaschiani.

“Po digjen miliona euro të shtetasve italianë përmes kësaj nisme,” shtoi deputeti Maggi.

Të mërkurën, anija italiane “Libra’ solli 16 emigrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi në portin e Shëngjinit dhe 12 prej tyre u dërguan në kampin e Gjadrit, ku do t’i nënshtrohen procedurave për azil. Transporti i tyre u bë me autobus, nën masa të rrepta sigurie, mesnatën e së mërkurës, pas verifikimeve dhe kontrollit shëndetësor në qendrën pritëse të Shëngjinit.

Ndërsa katër emigrantët e tjerë, pjesë e grupit prej 16 personash, u dërguan në Itali, pasi dy prej tyre rezultuan të mitur dhe dy të tjerë kishin probleme shëndetësore, prandaj do të trajtohen në shtetin italian.

“Janë mijëra euro që janë shpenzuar për 16 emigrantë, me një anije që kishte 70-80 persona në ekuipazh,” u ankua Maggi.

Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua më 6 nëntor 2023 në Romë, mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke shkaktuar debate të shumta në të dy anët e Adriatikut. Pavarësisht kundërshtimeve, ajo u ratifikua me shumicë votash nga parlamentet e të dy vendeve. Marrëveshja parashikon strehimin e rreth 3 mijë emigrantëve të kapur nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare. Zona brenda kampit të Gjadrit do të monitorohet nga policia italiane, e cila do të qëndrojë midis ambienteve të punonjësve dhe refugjatëve.

Aktualisht, kapaciteti i kampit nuk i kalon 400 vende, por ai do të zgjerohet në muajt në vijim, pasi deri tani janë përfunduar vetëm 70% e punimeve.

Artikulli paraprakKocka dhe Legena
Artikulli tjetërDogjën xhaketën që të ruajnë kuletën!