EMISIONI VETTING
A është skandali vetëm me banesat apo edhe me shkollat?
Mes mijëra ndërtesave të dëmtuara, 143 ishin shkolla në gjithë vendin, kopshte, çerdhe dhe konvikte në të gjithë vendin. Vetëm në bashkinë Durrës u dëmtuan 42 shkolla.
Komiteti Shtetëror i Rindërtimit miratoi një listë me 42 shkolla, të cilat do të rindërtohen nga e para ose do të rikonstruktohen gjatë fazës së dytë të programit “BE për Shkollat”. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar procedurat e vlerësimit të dëmeve vetëm për 11 objektet arsimore të kësaj liste, që i përkasin Bashkisë së Durrësit.
Sipas raportit paraprak të KLSH-së, 11 godinat arsimore u verifikuan menjëherë pas tërmetit nga grupet e ekspertëve të ngritura nga Instituti i Ndërtimit dhe rezultuan pa dëme strukturore. Ekspertët rekomanduan përgjithësisht riparime rifiniturash e suvatime – me përjashtim të konviktit të shkollës “Beqir Çela”, ku rekomanduan mospërdorim deri në një vlerësim të dytë.
Katër prej godinave arsimore –ku përfshihen gjimnazi “Naim Frashëri”, çerdhet nr.2 dhe 3 dhe shkolla “Eftali Koçi” iu nënshtruan një inspektimi të dytë, më 8 dhjetor 2019.
KLSH citon në akt-inspektimin e kryer për gjimnazin “Naim Frashëri” se u vlerësuan dëme të lehta strukturore të shkallës 2, por me rrezikshmëri “të gjelbër/të banueshme”.
“Bashkia Durrës ka inicuar kërkesën për akt-ekspertizë të thelluar edhe pse në akt-konstatimet paraprake të Institutit të Ndërtimit apo grupeve përkatëse të inspektimit nuk është kërkuar rivlerësim më i thelluar,” shkruhet në raport KLSH.
Akt-ekspertimet e thelluara të Institutit të Ndërtimit paraqesin një situatë të kundërt me vlerësimet paraprakë. Për shumicën e objekteve shkollore, ato konstatojnë degradim të hekurit dhe kolonave mbajtëse si dhe prani të lagështirës.
Në raportin, KLSH vlerëson se akt-ekspertizat e thelluara të Institutit të Ndërtimit janë trajtuar në formë shablloni, duke bërë më shumë historikun e tërmeteve në Shqipëri sesa trajtimin e problemeve të objekteve.
Raporti shton gjithashtu se audituesit e KLSH-së nuk gjetën asnjë evidencë në terren që të provojë nëse është verifikuar hekuri i kolonave apo muret poshtë suvasë- të cilat konsiderohen në akt-ekspertiza si të degraduara.
Duke i konsideruar procedurat e ndjekura nga Bashkia e Durrësit dhe Instituti i Ndërtimit në shkelje të kuadrit ligjor, audituesit e KLSH-së vënë në dyshim edhe vërtetësinë e akt-ekspertizave të thelluara.
Fondi për rindërtim kanalizohet në fatura OSHE!!!
Këshilli bashkiak i Durrësit ka devijuar në vitin 2022 një pjesë së fondit të parashikuar për rindërtim. Bëhet fjalë për shkollën “Met Hasa” në Porto Romano, ku një shumë prej 36 milion lekësh u spostua për shlyerjen e borxheve të institucionit vendor ndaj OSHEE.
Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako përcaktoi shkollat që do t’i nënshtroheshin rikonstruksionit dhe ato që do të ndërtoheshin të reja.
“Investimet në arsim do të jenë ndërtimi i godinës së re të shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”, rikonstruksioni i plotë i QKF Durrës, ndërtimi i një shkolle të re ku do të bashkohen shkollat 9-vjeçare “Vasil Ziu” dhe “Nënë Tereza”, rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Demokracia”, rikonstruksioni i shkollës “Besnik Hidri” Shënavlash si dhe rikonstruksioni i shkollës “Don Nikollë Kaçorri”, ndërtimi i kopshtit në oborrin e shkollës “Isuf Hoti” në bashkëfinancim me PNUD për programin e rindërtimit.” – deklaroi Sako.
Edhe në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës, në zërin e investimeve për vitin kalendarik 2022 është listuar ndërtimi i shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”
Ky objekt arsimor ndodhet në lagjen numër 15 të qytetit bregdetar, në zonën e njohur si Porto Romano. Shkolla nuk rezulton në listën e ndërtesave që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i nëntorit 2019. Në të njëjtën kohë, nuk është e listuar as në godinat që janë në proces rikonstruksioni ose rindërtimi në Bashkinë Durrës.
Por më 6 shtator 2022, thuajse 10 muaj pas miratimit të buxhetit, këshilli bashkiak Durrës miratoi një vendim, (pika 4 e rendit të ditës) i cili kishte të bënte me një fond prej 81 milionë lekësh, që do t’i akordohej OSHEE, pasi kjo njësi vendore kishte rezultuar debitore, kundrejt institucionit në fjalë.
Në relacionin e hartuar, autoriteti vendor përcaktonte se nga do të sigurohej ky fond debie, duke cenuar dy investimet e parashikuara, njëri prej të cilëve me objekt: ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”.
“Pra fondi prej 36.000.000 lekë i planifikuar për financimin e projektit në vitin 2022 do të mbetet i papërdorur. Në këto kushte kërkojmë që vlera prej 36.000.000 lekë të merret nga ky fond dhe të alokohet për shlyerjen e detyrimeve kundrejt OSHEE.” – bëhet me dije në relacion
Sipas shkresës zyrtare, 36 milionë lekë janë marrë nga fondi i ndërtimit të shkollës, pa përcaktuar afate në lidhje me zbatimin e këtij projekti, i cili u bë publik në mbledhjen e këshillit bashkiak në dhjetor të një viti më parë, nga kryebashkiakja, Emiriana Sako.
Si u frynë fondet për rindërtimin?
Në 29 korrik 2024 rihapet tenderi me objekt “Ndërtim shkolla 9 vjeçare “Met Hasa” për këtë tender u alokua fondi prej 2.4 miliard lekësh. Teksa për ndërtimin e po kësaj shkolle në vitin 2020 autoriteti kontraktor: Fondi Shqiptare i Zhvillimit ky tender u fitua nga bashkimi i kompanive Pe-vla-ku sh.p.k dhe Pe-vla-ku dega Kosove & BIBA-X shpk me ofertë vetëm 1 miliardë lekë. Por aso kohe fondet te ru devijuan për t’u rihapur me 1 miliardë më shumë lekë si tender.
Tenderin e vitit 2024 e ka fituar ASI-2A CO me administrator Astrit Gjikondi dhe pronar Andrea dhe Astrit Gjikondi. Ndërtimi i shkollës do të marrë një afat prej 12 muajsh.
Skandali me rindërtimin e shkollës “Naim Frashëri” në Durrës
Afera korruptive e ndërtimeve nga Bashkia Durrës, e reflektuar në zbulimin e KLSH-së për shkeljet gjatë vlerësimeve të dëmeve nga tërmeti, është me e hapur në rastin e gjimnazit ‘Naim Frashëri’ në Durrës. Sipas KLSH, gjimnazi nuk ishte i dëmtuar nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019 në shkallët DS4 apo DS5, që mund të futej në rindërtim. Por Bashkia e Emirjana Sakos ka menduar ndryshe.
“Faktikisht çfarë kishte zona të mira të dëmtuara ose jo banesat dhe shkollat e dëmtuara pak u shembën”, shprehen qytetarët.
Sipas audituesve të KLSH-së, Bashkia e Durrësit inicioi kërkesa për akt-ekspertime të thelluara për 11 objektet arsimore, ndonëse ekspertizat paraprake i kishin vlerësuar ato si të pacenuara deri në atë pikë sa të ishin të pabanueshme.
Godina e gjimnazit funksionoi normalisht edhe 4 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, deri në Mars 2020, kur Ministria e Arsimit vendosi mbylljen e mësimit normal për shkak të pandemisë Covid-19.
Nga muaji Dhjetor 2019 deri në Mars 2020, shkolla “Naim Frashëri” ka pritur, pa problem, qindra nxënës, si edhe stafin pedagogjik.
Godina ishte vendosur për prishje edhe pse pa dëmtime ndërkohë që godina të tjera të dëmtuara rëndë nuk marrë asnjë vëmendje apo zgjidhje. Shkolla “Naim Frashëri” gjendet në një zonë të lakmuar të qytetit të Durrësit dhe biznesi i ndërtimit ka pasur shpesh interes për të investuar. Vendimi për rrëzimin e shkollës “Naim Frashëri” i frikësoi banorët rreth gjimnazit pasi dyshonin se ky projekt për të shembur shkollën do t’i hapte rrugën ndërtimit të kullave përreth.