Gjykata rrëzon marrëveshjen Rama-Meloni? Vendimi: Emigrantët të dërgohen nga Shqipëria në Itali!

Një gjykatë italiane vendosi që refugjatët e dërguar në kampin e Shëngjinit në Shqipëri, duhet të kthehen menjëherë në Itali, edhe pse kërkesa e tyre për azil në vendin fqinj është refuzuar, shkruan A2 CNN.

Sipas mediave italiane, vendimi ishte e pritur, pasi kështu parashikohet në vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, marrë më 4 tetor, para nisjes së funksionimit të qendrave të pritjes në Shqipëri, nën juridiksionin italian.

Sipas marrëveshjes Rama-Meloni, në vendin tonë do të dërgohen azilkërkues meshkuj, pa familje, dhe nëse kërkesa e tyre për azil do të refuzohet, do të kthehen në vendin e origjinës; nëse u pranohet, do të dërgohen në Itali.

Por Gjykata vendosi që ata të kthehen në Itali, ku do të kenë 14 ditë kohë për të apeluar vendimin, duke mos lejuar që ata të presin vendimin e dytë nga kampi i Gjadrit.

Praktikisht, vendimi i gjykatës e bën të pavlefshme marrëveshjen Rama-Meloni, pasi të gjithë azilkërkuesit do të duhet të presin vendimin për ta në territorin italian dhe jo në Shqipëri. Dhe qendrat e ndërtuara këtu, sipas “La Repubblica”, mund të mbesin bosh që sonte. (A2 Televizion)

Artikulli paraprak“Refuzova 250 milionë euro për Jamal”, presidenti i Barcelonës konfirmon shumën e çmendur: Cila është vlera e tij tani?
Artikulli tjetërSHBA, si votojnë shqiptarët/ Zgjedhjet presidenciale: Me rëndësi Kosova dhe politika e jashtme