Pas Berishës dhe Metës, është radha e Edi Ramës!

Nga Namir Lapardhaja

Që pas miratimit të Reformës në Drejtësi dhe krijimit të strukturave të reja si SPAK dhe GJKKO, në politikën shqiptare asgjë nuk do të ishte më si më parë. Këtë e kanë ditur të gjithë ata që kanë votuar në mënyrë unanime këtë reformë, ashtu sikurse që prej asaj periudhe një pjesë ka jetuar me frikën e ardhjes së kësaj dite, një pjesë tjetër ka vijuar me idenë ‘bëje Zot ëndërr’, apo me inercinë e të vazhduarit si më parë, duke u munduar ta frikësojnë, linçojnë dhe intimidojnë drejtësinë, me shpresën se një gjë e tillë do funksionojë.

Fatmirësisht, të gjitha shantazhet dhe presionet kanë rënë të vesh të shurdhët.

Dosja voluminoze e SPAK për Sali Berishën dhe akuzat e ngritura ndaj Ilir Metës tregojnë se linçimi ndaj drejtësisë është i kotë dhe nuk funksionon. Pavarësisht zhurmës mediatike, gjithçka vijon si më parë në jetën shoqërore dhe politike dhe ky është një ogur shprese se pas tyre kushdo që do të goditet, nuk është se do t’i bëjë kujt përshtypje.

Pas Berishës dhe Metës, pazëlli nuk mund të jetë i plotë edhe pa përballjen e Edi Ramës me drejtësinë, si një nevojë urgjente për ta ndëshkuar këtë klasë politike thellësisht të korruptuar dhe për t’i hapur rrugën një klase që të ketë frikë nga drejtësia, që të ketë modele të ndëshkueshmërisë përpara syve, të matet dhe mendohet mirë kur të mundohet të korruptojë, të ndikojë në mënyrë të paligjshme, të bëjë pastrim parash duke bashkëpunuar me krimin apo me oligarkinë që përfiton nga marrëdhënia me politikën favore që nuk i takojnë.

Nëse rastet e Berishës dhe të Metës tashmë janë në duart e drejtësisë, për Edi Ramën mjafton të merret si indicie rasti i deputetit të Shijakut, J. Çyrbja, i cili ishte jo vetëm i deleguari i krimit në listën e PS-së, por bandat dhe krimi i organizuar investoheshin që ai të kishte një vend të sigurt në listën e deputetëve. Sigurisht që njeriu përgjegjës për listën e deputetëve është Edi Rama, i cili në këtë rast nuk mund të justifikohet se Çyrbja ka ngrënë kumbulla prapa kurrizit të tij, por është vetë Rama ai që kumbullat e krimit të Shijakut dhe të Durrësit i ka bërë reçel në hartimin e kësaj liste dhe vendosjen e tij në vend të sigurt, sipas porosisë së bandave.

Në këtë kuptim, ashtu sikurse për dy të parët, që filluan si dy akuza të lehta në dukje dhe pastaj Prokuroria e Posaçme nëpërmjet metodave të sofistikuara shkoi deri te hetimi pasuror, kjo indicie në rastin e deputetit të Shijakut, le t’i shërbejë SPAK për të filluar një hetim ndaj kreut të PS-së, Edi Rama, për krim zgjedhor dhe për ndikim të paligjshëm të botës së krimit në zgjedhje.

Kështu Prokuroria e Posaçme dhe GJKKO-ja do ta plotësonin panoramën e dhënies fund të pandëshkueshmërisë në një vend që ka vuajtur nga mungesa e drejtësisë dhe nga arroganca e pushtetit.

Kjo le të shërbejë edhe për të tjerët që do të vijnë nga pas, që të jenë më pak arrogant dhe të kenë më shumë frikë ndaj drejtësisë, në mënyrë që kur të firmosin apo kur të bëjnë akte publike, të kenë shembullin e treshes së mëparshme, e cila, pavarësisht se shiu për vite me radhë, në fund u përballë me produktin e punës së vet.

Artikulli paraprakU arrestua me urdhër të SPAK/ Jurgis Çyrbja mbërrin në Gjykatë, pritet të njihet me masën e sigurisë!
Artikulli tjetërPse arrestimi i ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja, sjell nevojën e rishikimit të mekanizmave të filtrimit të kandidatëve për zgjedhjet 2025