Vaduzi kërkoi Sadikun, por ndërhyri Lugano

Vaduzi thërret në ndihmë Armando Sadikun për të shmangur sërish nga rënia një kategori më poshtë. Skuadra nga Lihtenstejni ka kërkuar me ngul të huazojë sulmuesin shqiptar, sikurse bëri edhe një vit më parë, por ka hasur në një pengesë të pakapërcyeshme, Luganon. Sipas mediave zvicerane, Sadiku ka qenë gati për një eksperiencë të dytë në formë huazimi te Vaduzi, por me emërimin e Paolo Tramezzanit trajner i Luganos, klubi jugor ka intensifikuar bisedimet për të siguruar shërbimet e 25-vjeçarit, i cili kërkon një kampionat më të fortë. Zyrihu, i cili kryeson Challege League me 12 pikë më shumë se Xamax, e ka thuajse formalitet ngjitjen në Superligë, kështu që nuk do të bëhej pengesë për huazimin e Sadikut, por dalja në skenë e Luganos i ka prishur planet e Vaduzit.
Drejtori Sportiv i skuadrës nga Lihtenstejni, Bernt Haas, shpjegoi se kishte bërë gjithçka në ditët e fundit të dhjetorit për ta bindur sulmuesin e kombëtares kuqezi që t’i bashkohej skuadrës së tij, por shpresat e tij janë venitur me ndërhyrjen e Luganos. Drejtuesi i Vaduzit e pranoi se Sadiku do t’i bashkohet ish-zëvendëstrajnerit të Shqipërisë. Gjatë pjesës së dytë të sezonit të kaluar, Sadiku u aktivizua në 16 ndeshje me Vaduzin, duke shënuar shtatë gola shumë të rëndësishëm për qëndrimin në Superligën e Zvicrës. Për ironi të fatit, në Chellenge Leage ra Zyrihu që zotëronte kartonin e futbollistit.

Artikulli paraprakArlind Ajeti drejt Pescaras
Artikulli tjetërNjë ish-lojtar i Milanit i bashkohet Kukësit