Robert Lewandowski refuzoi mundësinë të bëhej lojtari më i paguar në botë. Siç bën të ditur agjenti i tij polak, Çezari Kuharski, kinezët bënë çmendurira për të transferuar Lewandowskin në Kinë, por sulmuesi i Bajernit nuk pranoi një aventurë të tillë. Edhe pse bëhej fjalë për më shumë se 200 milionë euro, 28-vjeçari polak zgjodhi suksesin me bavarezët dhe jo paratë.
Ai refuzoi 40 milionë euro në vit nga Kina, duke pranuar 15 milionë euro në vit nga rinovimi i kontratës deri në vitin 2021 me Bajernin. 40 mln euro në sezon gjatë një interviste për portalin polak “Sportowe Fakty”, Kuharski zbulon kontaktet dhe megaofertën nga kinezët. “Pata një takim me një agjent kinez, i cili bën të mundur transferimin e yjeve të futbollit në Super Ligën kineze”, nënvizoi agjenti polak, duke shtuar më tej për detajet:
“Nëse Lewandowski do të kishte planifikuar apo vendosur të luante në Kinë, patjetër që do të paguhej më shumë sesa Tevez. Bëhej fjalë për më shumë se 40 milionë euro në vit. Roberti është më i ri në moshë nga Tevez dhe sulmues më i mirë sesa argjentinasi. Për këtë arsye, çmimi do të ishte më i lartë”.
Gjatë intervistës, Kuharski nuk përmend asnjë emër dhe asnjë klub, duke mbajtur enigmë palët e interesuara. “Ofertat kineze nuk ishin aspak temë bisede për Lewandowskin edhe sikur të kishin ofruar 200 apo 250 milionë euro për transferimin. Nuk ka vend për spekulim, por oferta për të ishte në këto shifra. Prioritet për Robertin është suksesi në karrierën e tij dhe aktualisht, ai është i pashitshëm”, shtoi agjenti polak, i cili në fund pohoi se Lewandowski një ditë mund të luajë në Kinë: “Nuk jap garanci. Unë kurrë nuk them kurrë”.
Kujtojmë që Karlo Tevez u ble nga Shangai Shenhua dhe paguhet 38 milionë euro në vit. Leva, kundër Guardiolës edhe pse Bajerni fitoi tre tituj radhazi me Guardiolën, përsëri sulmuesi Robert Lewandowski duket se ka qenë i pakënaqur nga trajneri spanjoll. “Në fazën e dytë do të luajmë akoma më mirë se në të kaluarën. Do të jemi më mirë si nga ana taktike dhe fizike. Në dy vitet e fundit kemi pasur gjithmonë probleme në fund të sezonit, sidomos me dëmtimet”, kritikoi Lewandowski indirekt ish-trajnerin Guardiola gjatë një interviste për “Bild” në Doha, duke shtuar më tej:
“Lodhja është normale. Shumë lojtarë nga ne nuk ishin në formë pas Europianit, pasi nisëm direkt të luanim pa bërë shumë pushime. Unë e dija që do të kalonim një moment dobësie, për shkak të fazës së shkurtër përgatitore. Për fat të mirë, tani kemi më shumë pushime dhe kohë për t’u stërvitur”, përfundoi sulmuesi i Bajernit, i cili në 24 ndeshje me Ançelotin ka shënuar 20 gola.