Për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfiton ulje me 1/3 nëse dënohet, ndërsa SPAK ka kërkuar konvertimin në 2 vite shërbim prove.
Granit Gjana është vendosur nën hetim për shkelje të barazisë për dy tendera me vlerë 210 mln lekë të vjetra për naftën.
Ish-zyrtari dyshohet se nuk ka pasijur në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse një subjekt privat, i cili kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit.
Ai e ka penguar subjektin të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.000 lekëve, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023.
Për pasojë Granit Gjana akuzohet se ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm.
Granit Gjana dhe SPAK kishin arritur një marrëveshje lidhur me pranimin e fajësisë për 2 procedura tenderimi për blerje karburanti, por u refuzua nga GJKKO.
Marrëveshja mes SPAK dhe Granit Gjanës parashikonte dënimin e këtij të fundit me 1.6 vite burg të konvertuar në 3 vite shërbim prove, dhe si masë plotësuese heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat 5 vjeçar.
Lidhur me procedurat për të cilat akuzohet ish zyrtari, ka dhënë deklarime edhe ish kryebashkiaku Safet Gjici.
Nga qelia e burgut ku shlyen dënimin dënimin për shpërdorim detyre pas videoskandalit seksual me Alma Kaçin në zyrën e tij, Safet Gjici ka deklaruar se nuk i kujtohen detaje.
“Më date 25 Janar 2024, është bërë marrja në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale e shtetasit Safet Gjici, i cili deklaroi se për shkak dhe të kohës së gjatë aë kishte kaluar, nuk i kujtoheshin detaje rreth ngjarjes, por edhe se një pjesë e mire të kompetencave të tij si kryetar bashkie, ai i kishte deleguar tek n/kryetarët e bashkisë. Gjithashtu, shtetasi Safet Gjici deklaroi se në muajin Prill ishte angazhuar në fushatë elektorale dhe nuk është marrë fare me punët e bashki, për shkak se dhe ligji zgjedhor nuk ia lejonte një gjë të tillë”, thuhet në dosjen e SPAK.
REFUZIMI I PAKTIT
Gjykata e Posaçme refuzoi marrëveshjen mes Prokurorisë së Posaçme dhe ish-kryebashkiakut të komanduar të Kukësit, Granit Gjana për pranimin e fajësisë.
GJKKO njofton se nuk është miratuar pakti për pranimin e fajësisë dhe caktimin e dënimit arritur mes SPAK e Granit Gjanës, i cili akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.
“Refuzimin e miratimit të “Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë dhe Caktimin e Dënimit”, të lidhur më datë 01.03.2023 midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurit Granit Gjana, në praninë e mbrojtësit, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste”, thuhet në vendim.
Gjithashtu GJKKO ka kthyer sërish çështjen për rihetim në Prokurorinë e Posaçme.
“Kthimin e akteve Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që i përkasin procedimit penal Nr. 115, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Granit Gjana”, informon Gjykata e Posaçme.
Njoftimi i GJKKO-së
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 05.03.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Miratimin e “Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë dhe Caktimin e Dënimit”, të lidhur më datë 01.03.2023 midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurit Granit Gjana, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal.
2. Në seancën e datës 30.04.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 63 Regjistri Themeltar, datë 30.04.2024 vendosi:
1. Refuzimin e miratimit të “Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë dhe Caktimin e Dënimit”, të lidhur më datë 01.03.2023 midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurit Granit Gjana, në praninë e mbrojtësit, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal.
2. Kthimin e akteve Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që i përkasin procedimit penal Nr. 115, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Granit Gjana.
3. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.
Tiranë, më datë 30.04.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar